Inteligjenca Artificiale kërcënim për njerëzimin? Kërkohet pezullimi i testimit të sistemeve më të avancuara - NACIONALE

Inteligjenca Artificiale kërcënim për njerëzimin? Kërkohet pezullimi i testimit të sistemeve më të avancuara

1 vit më parë

nga NACIONALE

Duke u frikësuar se Inteligjenca Artificiale mund të jetë një kërcënim për njerëzimin, figurat kryesore të saj, kanë kërkuar pezullimin e testimeve të sistemeve më të fuqishme.

Sipas BBC-së, ata kanë nënshkruar një letër të hapur ku paralajmërohet për rreziqet e mundshme të AI, duke thënë se gara për të zhvilluar sisteme është jashtë kontrollit.

Bëhet e ditur se shefi i Twitter, Elon Musk është ndër ata që duan që testimi i Inteligjencës Artificiale mbi një kapacitet të caktuar të ndalet për të paktën gjashtë muaj, ndërsa shtohet se letra është nënshkruar edhe nga bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak dhe disa studiues në DeepMind.

Kujtojmë se OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, kohët e fundit ka lëshuar GPT-4 –një teknologji akoma më moderne e cila i ka impresionuar vëzhguesit me aftësitë për të kryer funksione të tilla si përgjigjje rreth pyetjeve për objekte në imazhe të ndryshme.

Letra paralajmëruse nga Instituti Future of Life, e nënshkruar nga figurat kyçe të teknologjisë, kërkon që zhvillimi të ndalet përkohësisht në atë nivel, duke paralajmëruar për rreziqet që mund të paraqesin sistemet më të avancuara në të ardhmen.

“Sistemet e AI me inteligjencë konkurruese njerëzore mund të paraqesin rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin,”- thuhet në letrën e Institutit.

Instituti Future of Life është një organizatë jofitimprurëse, e cila thotë se misioni i saj është "të drejtojë teknologjitë transformuese larg rreziqeve ekstreme, në shkallë të gjerë dhe drejt përfitimit të jetës". Ndërkohë, Elon Musk, pronar i Twitter dhe shefi ekzekutiv i kompanisë së makinave Tesla, është emëruar si këshilltar i jashtëm i organizatës.

Në letër më tej thuhet se Inteligjenca Artificiale e avancuar duhet të zhvillohet me kujdes, por në vend të kësaj, "muajt e fundit laboratorët e AI janë bllokuar nga një garë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe vendosur mendje dixhitale gjithnjë e më të fuqishme se çdokush - madje më të fuqishme se krijuesit e tyre.”

Në letër po ashtu paralajmërohet se Inteligjenca Artificiale mund të vërshojë kanalet e informacionit me dezinformata dhe të zëvendësojë vendet e punës me automatizim. Megjithatë, duke folur për BBC-në, ekspertë të tjerë kanë thënë se efekti i AI në vendet e punës ishte shumë i vështirë për t’u parashikuar.

Kujtojmë se në një postim të fundit në blog që është cituar edhe në letrën e Institutit, OpenAI ka paralajmëruar për rreziqet nëse një inteligjencë e përgjithshme artificiale (AGI) do të zhvillohej në mënyrë të pamatur:

"Një AGI superinteligjente e gabuar mund të shkaktojë dëm të rëndë në botë; një regjim autokratik me një drejtim vendimtar superinteligjence mund të bëjë edhe atë. Koordinimi midis përpjekjeve të AGI për të ngadalësuar në momente kritike ka të ngjarë të jetë i rëndësishëm,"- ka shkruar kompania.

Dihet se edhe Musk ishte një bashkëthemelues i OpenAI - megjithëse disa vite më parë ai ka dhënë dorëheqje nga bordi i organizatës dhe ka postuar në Twitter në mënyrë kritike për drejtimin aktual të saj.

Në letrën e nënshkruar edhe nga vetë Musk, kërkohet ndalimi i menjëhershëm për të paktën gjashtë muaj i testimeve të sistemeve AI më të fuqishme se GPT-4. Ndërsa, thuhet se nëse nuk nis zbatimi i kërkesës, qeveritë do të duhet të ndërhyjnë dhe të vendosin një moratorium.

"Do të nevojiteshin gjithashtu autoritete të reja dhe të afta rregullatore të dedikuara për AI,"- është thënë më tej në letër.

Dihet se propozime për rregullimin e teknologjisë, kohët e fundi janë paraqitur edhe në ShBA, Mbretëri të Bashkuar dhe BE, megjithatë MB-ja e ka përjashtuar mundësinë e një rregullatori të dedikuar për AI.

Lajme të ngjashme