Inflacioni në Gjermani bie në nivelin më të ulët në gati tre vjet, lirohet ushqimi - NACIONALE

Inflacioni në Gjermani bie në nivelin më të ulët në gati tre vjet, lirohet ushqimi

2 javë më parë

nga NACIONALE

Inflacioni në Gjermani u zvogëlua pak më shumë se që pritej në mars, i ndihmuar nga rënia e çmimeve të energjisë, sipas të dhënave preliminare të zyrës federale të statistikave.

Inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës ra në 2,3 për qind në mars, niveli më i ulët që nga qershori i vitit 2021, raporton agjencia “Reuters”.

Çmimet gjermane të konsumit, të harmonizuara për t’u krahasuar me shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ishin rritur për 2,7 për qind në shkurt, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ekonomistët i kushtojnë vëmendje të dhënave të inflacionit në Gjermani, sepse ky shtet i publikon shifrat e veta një ditë para publikimit të të dhënave për inflacionin në Eurozonë.

Inflacioni në Eurozonë pritet të ketë qetë 2,6 për qind në mars, i pandryshuar nga muaji i mëparshëm, sipas një ankete të agjencisë “Reuters” me ekonomistë.

Banka Qendrore Evropiane i ka ngritur shkallët e interesit më së shumti në historinë e euros për ta zbritur inflacionin nga numrat dyshifrorë.

Drejtoresha e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha në mars se shkalla e inflacionit të Eurozonës pritej që të vazhdonte të ulej, ndërsa rritja ekonomike ta fillonte rimëkëmbjen gjatë vitit.

Një numër në rritje i politikëbërësve të kësaj banke e kanë mbështetur uljen e shkallës së interesit, ndërsa një takim në qershor pritet të jetë si koha me më së shumti gjasa për marrje të masave, edhe pse është caktuar një takim edhe për këtë muaj.

Në Gjermani, çmimet e energjisë në mars ishin për 2,7 për qind më të ulëta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky mars ishte gjithashtu muaji i parë që nga shkurti i vitit 2015 kur çmimet e ushqimit ranë nën nivelin e muajit të njëjtë të vitit paraprak.

Inflacioni po mbështetet nga një trend në rritje i shërbimeve, çmimet e të cilave gjithnjë më shumë po mbizotërohen nga ngritja e ndjeshme e kostos së pagave.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme