Indonezia përgatit një qendër mjekësore për trajtimin e 2.000 të plagosurve nga Gaza
Indonezia do të përgatisë një qendër mjekësore në ishullin tani për tani të pabanuar të Galang-ut për të trajtuar rreth dy mijë banorë të plagosur të Gazës, të cilët do të kthehen në atdhe pas shërimit, tha të enjten një zëdhënës presidencial i vendit ishullor.
Indonezia, shtet me shumicë myslimane, ka dërguar ndihma humanitare në Gaza, pasi Izraeli e nisi ofensivën ushtarake në tetor të vitit 2023, nga e cila zyrtarët shëndetësorë në enklavë thonë se janë vrarë mbi 60 mijë palestinezë, përfshirë luftëtarë e civilë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Indonezia do të japë ndihmë mjekësore për rreth dy mijë banorë të Gazës që janë bërë viktima të luftës, ata që janë plagosur, varrosur nën rrënoja” – tha zëdhënësi Hasan Nasbi, duke shtuar se ky operacion nuk është evakuim.
Indonezia planifikon që ta përgatisë qendrën mjekësore në ishullin Galang, afër ishullit Sumatra dhe në jug të Singaporit, për t’i trajtuar banorët e plagosur të Gazës dhe për t’i strehuar përkohësisht familjet e tyre, shtoi ai, duke thënë se në këtë ishull nuk jeton askush tani për tani.
Zëdhënësi bëri të ditur se pacientët do të kthehen në Gaza pasi të jenë shëruar. Ai nuk dha një kornizë kohore ose hollësi të tjera të mëtejme, duke i drejtuar pyetjet te Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e Indonezisë, të cilat nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.
Plani vjen disa muaj pasi oferta e presidentit Prabowo Subianto për të strehuar palestinezë të plagosur nxiti kritika nga klerikë të lartë në Indonezi, të cilët thanë se kjo ofertë duket shumë e afërt me sugjerimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për largimin e përhershëm të palestinezëve nga Gaza.
Si reagim ndaj sugjerimit të Trumpit, Ministria e Jashtme e Indonezisë, e cila përkrah një zgjidhje me dy shtete për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, kishte thënë në atë kohë se “kundërshton fuqishëm çfarëdo përpjekjeje për të zhvendosur palestinezë me forcë”./Nacionale