India e nis misionin me synim historik për në polin jugor të Hënës
Agjencia indiane e hapësirës nisi të premten një raketë me të cilën synohet vendosja e një sonde në polin jugor të Hënës, projekt i pashembullt që do ta avanconte pozicionin e Indisë si fuqi e rëndësishme hapësinore.
Në video shihet nisja e raketës LVM3 të Organizatës për Hulumtim të Hapësirës nga porti kryesor hapësinor në shtetin jugor indian, Andhra Pradesh, duke lënë prapa një tufë tymi e zjarri, raporton agjencia “Reuters”.
Përmes misionit “Chandrayaan-3” synohet që të vendoset një sondë dhe një pajisje për lëshim afër polit jugor të Hënës rreth datës 23 gusht.
Nisja e raketës nga minuta e 34-të e videos së mëposhtme:
Vetëm tri agjenci të tjera të hapësirës – ato të Shteteve të Bashkuara, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kinës – kanë lëshuar objekte në sipërfaqen e Hënës. Asnjëra prej tyre nuk është lëshuar afër polit jugor të Hënës.
Pjesë e misionit është edhe një pajisje lëshuese të gjatë dy metra, e cila është e dizajnuar për të vendosur një robot lëvizës afër polit jugor të Hënës, ku pritet që të qëndrojë funksionale për dy javë e të kryejë një varg eksperimentesh.
Përmes misionit “Chandrayaan-2”, India me sukses vendosi një pajisje në orbitën e Hënës më 2020, por pajisja lëshuese dhe roboti lëvizës u shkatërruan në një përplasje afër vendit ku synohet të lëshohet misioni i ri.
