Illinois: Të shtëna me armë në paradën e 4 korrikut, gjashtë të vdekur e mbi 20 të plagosur
Zyrtarët e qytetit kanë njoftuar se gjashtë persona janë qëlluar për vdekje dhe 24 të tjerë janë plagosur në një paradë të Ditës së Pavarësisë pranë qytetit amerikan të Çikagos.
Ngjarja e planifikuar të mbahet në qytetin e Highland Park është ndërprerë papritur nga të shtënat me armë rreth 10 minuta pasi ka nisur, ndërsa zyrtarët e policisë kanë njoftuar se janë në kërkim të një burri të bardhë, të moshës 18-20 vjeç, i përshkruar si "i armatosur dhe i rrezikshëm".
Pjesmarrësve në paradë u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të kontaktojnë të dashurit e tyre për t'u siguruar që ata janë të sigurt, kurse oficerët e zbatimit të ligjit, të cilët janë në kërkim të të dyshuarit, kanë siguruar një perimetër rreth zonës në qendër të Highland Park dhe kanë gjetur "prova të një arme zjarri".
Sipas policisë, dyshohet se sulmuesi "i armatosur dhe i rrezikshëm", ka qëlluar drejt pjesëmarrësve të paradës duke i shënjestruar rastësisht nga një çati aty pranë.
"Në një ditë që ne u mblodhëm për të festuar komunitetin dhe lirinë, ne po mbajmë zi për humbjen tragjike të jetës," është shprehur pas rastit tragjik, kryebashkiaku i qytetit Nancy Rotering, i cili njoftoi për anulimin e festivalit, duke u kërkuar njerëzve të shmangin zonën në qendër të qytetit.
Në zonë, po ashtu janë anuluar edhe shfaqjet me fishekzjare dhe parada të tjera lokale, ndërsa, dëshmitarët në vendngjarje e kanë përshkruar momentin e tmerrshëm kur kanë dëgjuar të shtëna të vazhdueshme.
Edhë në vitin 2021, gjatë festave të 4 korrikut në qytetin e Çikagos, nga të shtënat me armë ishin plagosur më shumë se 100 njerëz dhe kishin humbur jetën 17 të tjerë.
Të shtënat e fundit vijnë vetëm një muaj pas sulme vdekjeprurëse në Uvalde, Teksas dhe Buffalo, Nju Jork - dhe një javë pasi Kongresi i SHBA-së miratoi legjislacionin e parë dypartiak për armët në Amerikë.
