I kishin ftuar për bisedime, banditët rrëmbejnë afro 40 njerëz në Nigeri - NACIONALE

I kishin ftuar për bisedime, banditët rrëmbejnë afro 40 njerëz në Nigeri

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa banditë të armatosur në pjesën veriperëndimore të Nigerisë rrëmbyen dhjetëra banorë të fshatit që i kishin ftuar në një takim për bisedime të mundshme të paqes, thanë të hënën autoritetet dhe banorët, duke e vënë në pah përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon.

Policia tha se 39 njerëz u rrëmbyen të dielën, kur shkuan në një takim në pyll afër fshatit Magamin Diddi, në komunën Maradun të shtetit Zamfara. Disa banorë lokalë dhe zyrtarë thanë se numri i të rrëmbyerve mund të jetë deri në 50, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas një deklarate të Komandës së Policisë Shtetërore të Zamfaras, të rrëmbyerit po zhvillonin takim me të afërm të një udhëheqësi banditësh në përpjekje për ta ndërmjetësuar paqes dhe për t’i lehtësuar kufizimet ndaj lëvizjes që i janë vendosur komunitetit.

Zamfara është në qendër të një krize të vjetër të sigurisë në të cilën grupet e armatosura kryejnë rrëmbime e vrasje masive si dhe bastisje të fshatrave. Dhuna e ka penguar punën në bujqësi dhe e ka shkaktuar zhvendosjen e mijëra njerëzve.

Në deklaratën e policisë thuhet se forcat e sigurisë kanë dislokuar personel dhe asete të inteligjencës për t’i lokalizuar viktimat e rrëmbimit.

Raportohet se disa persona të rrëmbyer janë liruar në mënyrë që ta përcjellin në fshat kërkesën për haraç për lirimin e të tjerëve.

Bashar Aliyu, banor në Magamin Diddi, tha se grupi i armatosur po kërkon 125 milionë naira (rreth 92.000 dollarë amerikanë) për lirimin e personave të rrëmbyer.

Në shumë komunitete, banorët po zgjedhin që të bisedojnë drejtpërdrejt me grupet e armatosura për të siguruar qasje në toka bujqësore ose lirim të të rrëmbyerve. Autoritetet i kanë këshilluar banorët që ta shmangin këtë praktikë, por kanë hasur në vështirës që ta parandalojnë atë./Nacionale

Lajme të ngjashme