“I drogoj fëmijët e mi të uritur për t’u ndihmuar që të flenë”
Afganët po u japin fëmijëve të tyre të uritur substanca të ndryshme për t’i qetësuar. Disa i kanë shitur vajzat e tyre ose organet për të mbijetuar. Në dimrin e dytë që nga ardhja e talibanëve në pushtet dhe nga ngrirja e fondeve të huaja, miliona njerëz janë një hap larg vdekjes nga uria.
“Fëmijët tanë qajnë vazhdimisht dhe nuk flenë. Nuk kemi ushqim, prandaj shkojmë në barnatore, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve tanë në mënyrë që të ndihen të përgjumur”- tha një burrë afgan i quajtur Abdul Wahab.
Ai jeton afër Heratit, qyteti i tretë më i madh në Afganistan, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla balte, që është rritur gjatë dekadave, i mbushur me njerëz të zhvendosur e të goditur nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.
Abduli është në mesin e një grupi prej rreth dhjetë burrash që janë bashkuar përreth nesh. Ne pyetëm se sa prej tyre u japin barna fëmijëve të tyre për t’i qetësuar.
“Shumë nga ne, të gjithë ne”- u përgjigjën ata.
Ghulam Hazrat-i e futi dorën në xhepin e xhaketës dhe nxori një rrip tabletash. Ato ishin Alprazolam – qetësues që zakonisht përshkruhen nga mjekët për trajtimin e çrregullimeve të shkaktuara nga ankthi.
Ai thotë se ka gjashtë fëmijë. Më i vogli ka vetëm një vit jetë. “Ia jap këto edhe atij”- tha ai.
Të tjerët na treguan tableta Escilatopram dhe Sertraline për të cilat thanë se ua japin fëmijëve të tyre. Këto tableta zakonisht u jepen personave që janë duke u trajtuar për depresion dhe ankth.
Mjekët thonë se përdorimi i këtyre tabletave nga fëmijët që nuk kanë ushqim adekuat, mund ta dëmtojë mëlçinë dhe të shkaktojë disa probleme të tjera shëndetësore, si plogështia kronike, çrregullimi i gjumit dhe i sjelljes.
Në një barnatore lokale, morëm vesh se mund të blini pesë tableta të tilla për rreth dhjetë centë.
Shumica e familjeve që i takuam, ndanin pak copa buke mes vete çdo ditë. Një grua na tha se kanë ngrënë bukë të thatë në mëngjes, ndërsa në mbrëmje e kanë lagur në ujë.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se një katastrofë humanitare është duke u shpalosur në Afganistan.
Shumica e burrave në zonën jashtë Heratit punojnë si punëtorë me pagë ditore. Ata kanë pasur jetë të vështirë me vite.
Por kur talibanët e morën pushtetin në gushtin e vitit të kaluar, pa njohje ndërkombëtare të qeverisë së re, fondet e huaja u ngrinë, duke shkaktuar kolaps ekonomik që i la burrat pa punë në shumicën e ditëve.
Ditëve të rralla kur gjejnë punë, ata mezi fitojnë nga 100 afganë (pak më shumë se një dollar).
Kudo që shkuam, gjetëm njerëz që ishin detyruar të ndërmarrin hapa ekstremë për t’i shpëtuar familjet e tyre nga uria.
Amari (jo emri i tij i vërtetë) tha se i është nënshtruar një operacioni për ta hequr veshkën para tre muajve dhe na tregoi një të prerë 22-centimetërshe, ku shenjat e qepjes ishin ende me ngjyrë rozë, anash barkut.
“Nuk kishte rrugëdalje. Kisha dëgjuar se mund të shesësh një veshkë në një spital lokal. Shkova atje dhe u thashë se ashtu doja të bëja. Disa javë më vonë më erdhi një telefonatë, duke më kërkuar që të shkoja në spital”- tha ai.
“Ata i bënë disa teste, pastaj më dhanë diçka me injeksion që më bëri pa vetëdije. Isha i frikësuar, por nuk kisha opsione”- shtoi afgani.
Amari u pagua rreth 270 mijë afganë (rreth tre mijë e njëqind dollarë) për veshkën. Shumica e kësaj shume i shkoi për t’i larë borxhet që i kishte marrë për të blerë ushqim për familjen e tij.
“Nëse hamë një natë, nuk hamë në tjetrën. Pas shitjes së veshkës sime, ndihem sikur jamë gjysmë personi. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, më duket se mund të vdes”- tha ai.
Shitja e organeve për të holla nuk është gjë e padëgjuar në Afganistan. Kjo gjë ndodhte edhe para ardhjes së talibanëve në pushtet. Por tash, edhe pas bërjes së një zgjedhjeje kaq të dhimbshme, njerëzit po shohin se ende nuk mund t’i gjejnë mjetet për mbijetesë.
Në një shtëpi të thjeshtë e të ftohtë, takuam një nënë të re, e cila tha se e shiti veshkën para shtatë muajve. Familja duhej ta paguante borxhin që e kishte marrë për të blerë një tufë delesh. Kafshët ngordhën nga vërshimet para disa vjetëve dhe njerëzit e familjes mbetën pa një mjet për sigurimin e jetesës.
240 mijë afganët (rreth dy mijë e shtatëqind dollarë) që i mori për veshkën e shitur, nuk janë të mjaftueshme.
“Tash po detyrohemi që ta shesim vajzën 2-vjeçare. Njerëzit nga të cilët kemi huazuar, na bien në qafë përditë, duke na e kërkuar vajzën, nëse nuk mund t’ua lajmë borxhin”- tha ajo.
“Ndihem shumë i turpëruar nga kjo situatë. Nganjëherë më duket se është më mirë të vdes sesa të jetoj kështu”- thotë bashkëshorti i saj.
Njerëzit na thanë se ndihen të braktisur, nga qeveria e talibanëve dhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Larg vëmendjes së botës, niveli i krizës në Afganistan mund të mos dalë kurrë vërtet në dritë, sepse askush nuk është duke bërë llogari.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli