Hyn në fuqi taksa prej 50 për qind e Trumpit kundër Indisë - shkak tregtia me Rusinë
Taksa prej 50 për qind e presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve prej Indisë ka hyrë në fuqi, disa javë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte lëshuar një urdhër ekzekutiv me të cilin e godiste shtetin aziatik me masë ndëshkuese shtesë prej 25 për qind taksë për shkak të blerjes së naftës dhe armëve nga Rusia.
Kjo e bën Indinë – njëra nga partneret më të fuqishme të ShBA-së në rajonin e Indo-Paqësorit – njërën nga vendet që do t’i paguajnë taksat më të larta në botë. Masa mund t’u japë goditje eksporteve dhe rritjes në ekonominë e pestë më të madhe në botë, duke e marrë parasysh faktin se ShBA-ja deri vonë ishte partnerja më e madhe tregtare e Indisë, raporton televizioni BBC.
Goditja amerikane me taksa e ka vënë Qeverinë e Indisë në situatë të vështirë, në përpjekje për t’i zbutur pasojat. Më herët këtë muaj, kryeministri Narendra Modi premtoi ulje të taksave për ta luftuar ndikimin ekonomik të tarifave të jashtme.
Në mesin e sektorëve që pritet të përfitojnë nga lehtësimi i taksave janë veturat e vogla, skuterët, veshmbathjet dhe gjërat si çimentoja.
Lufta me fjalë mes Indisë dhe Shteteve të Bashkuara, posaçërisht për blerjen e naftës ruse nga India, vetëm është intensifikuar dhe bisedimet që ishin planifikuar të fillonin këtë javë janë anuluar.
Një taksë amerikane prej 25 për qind ndaj mallrave indiane kishte hyrë në fuqi më herët këtë muaj, por Trumpi më pas e njoftoi dyfishimin e saj, duke e përmendur si arsye blerjen e naftës ruse nga India. Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se një gjë e tillë tërthorazi po e financon luftën e Rusisë në Ukrainë.
Sidoqoftë, ministrat indianë argumentojnë se vendi i tyre është veçuar në mënyrë të padrejtë për marrëdhëniet e tij tregtare me Rusinë dhe zyrtarët paralajmërojnë se ky shtet me gjasë do të punojë më ngushtë me Moskën e Pekinin dhe do të distancohet më shumë nga Uashingtoni si rezultat i kësaj politike./Nacionale