Hyn në fuqi ligji për dënim me vdekje për palestinezët e Bregut Perëndimor të dënuar për terrorizëm
Ligji për dënim me vdekje për palestinezët e Bregut Perëndimor të dënuar për akte vdekjeprurëse të terrorizmit hyri në fuqi të dielën mbrëma, pasi komandanti i Komandës Qendrore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Gjeneral Major Avi Bluth, e nënshkroi urdhrin ushtarak që ishte i nevojshëm për ta zbatuar këtë masë në ato territore.
Me këtë urdhër kërkohet që një gjykatë ushtarake që e drejton ndjekjen penale të të akuzuarve për terrorizëm, sulmet e të cilëve kanë rezultuar në vdekjen e një viktime, ta zbatojë dënimin me vdekje si dënimi i vetëm i mundshëm, përpos rasteve kur gjykata zbulon rrethana të posaçme që do ta mundësonin shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm në vend të atij me vdekje, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Pas miratimit të legjislacionin në fund të marsit, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kishte kërkuar që Bluthi ta miratonte urdhrin ushtarak dhe ai e bëri këtë gjë të dielën.
Legjislacioni është kritikuar gjerësisht si diskriminues, pasi aty theksohet në mënyrë të hapur se masat e reja nuk vlejnë për shtetasit izraelitë ose banorët e Izraelit. Ligji i ri gjithashtu vlen vetëm për gjykimet për terrorizëm në sistemin e gjykatave ushtarake, i cili përdoret për gjykimin e palestinezëve, ndërsa izraelitët gjykohen sipas sistemit të gjykatave civile.
Disa organizata dhe politikanë kanë kërkuar nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë që ta zhbëjë këtë ligj dhe gjykata e ka urdhëruar shtetin që të përgjigjet deri më 24 maj.