Hyn në fuqi armëpushimi treditor i shpallur nga Putini, qetësi në qiellin e Ukrainës - NACIONALE

Hyn në fuqi armëpushimi treditor i shpallur nga Putini, qetësi në qiellin e Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një armëpushim treditor i shpallur nga Rusia hyri në fuqi të enjten në mëngjes. Qielli mbi qytetet kryesore ukrainase ishte i qetë, ndryshe nga netët e vazhdueshme me sulme të rënda nga dronët e raketat ruse.

Megjithatë, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se trupat ruse kishin vazhduar që të kryenin sulme në disa pjesë të frontit lindor. Forca ajrore ukrainase tha se aeroplanët rusë kishin hedhur bomba në rajonin Sumy, në veri të Ukrainës, tri herë.

Megjithatë, forca ajrore tha se nuk ka pasur dronë ose raketa ruse në hapësirën ajrore të Ukrainës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të shpallur nga Kremlini. Nuk pati raportime për dëme dhe agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte raportimet për sulme.

Armëpushimi i shpallur nga Rusia me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore kundër Gjermanisë naziste hyri në fuqi në mesnatë sipas kohës lokale të Moskës.

Si pjesë e organizimeve për këtë përvjetor, presidenti rus, Vladimir Putin, do të presë udhëheqës botërorë në Moskë, përfshirë homologun kinez, Xi Jinping, dhe do të përcjellë një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq më 9 maj.

Ukraina nuk është zotuar për respektimin e armëpushimit të shpallur nga Rusia, duke e cilësuar si mashtrim nga Putini për ta krijuar përshtypjen se ai dëshiron t’i japë fund luftës. Presidenti rus thotë se është i përkushtuar për arritjen e paqes.

Forcat ukrainase kryen sulme të përsëritura me dronë ndaj Moskës këtë javë. Autoritetet ruse u detyruan që të mbyllnin aeroporte në kryeqytet ndërsa kompanitë ajrore u desh të anulonin fluturime./Nacionale

Lajme të ngjashme