Humbësi Global i Vitit: Vladimir Vladimiroviq Putin - NACIONALE

Humbësi Global i Vitit: Vladimir Vladimiroviq Putin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për herë të parë që nga fillimi i organizimit, para një dekade, presidenti rus nuk e mbajti konferencën e famshme për gazetarë këtë muaj. Anulimi i befasishëm i kësaj ngjarjeje është shenja më e re se jo gjithçka po ec mirë në Kremlin. Gjatë dhjetë viteve të fundit, konferenca e Putinit me gazetarë në fund të vitit ka qenë spektakël propagande i organizuar me kujdes, duke i lejuar diktatorit rus që ta shfaqë mjeshtërinë e tij për çështjet botërore. Megjithatë, kur pushtimi i Ukrainës po shthuret nga humbjet, Putini qartazi nuk është në disponim për t’u ballafaquar as me audiencën më të dëgjueshme.

Peter Dickinson, “Atlantic Council”

Përderisa Putini fshihet nga kamerat, rivali i tij i ashpër po e përfundon vitin me një valë të vlerësimeve pozitive ndërkombëtare. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tashmë është emëruar “Person i Vitit” nga shumë medie, përfshirë revistën “Time” dhe gazetën “Financial Times”, dhe tash po përmendet si njëri ndër politikanët më me ndikim në botë. Profili në rritje i Zelenskyt është njohje e lidershipit të tij në kohë lufte dhe, gjithashtu, e pasqyron admirimin global të rezistencës së guximshme të Ukrainës ndaj pushtimit rus.

Fatet e kundërta të udhëheqësve të Rusisë dhe Ukrainës e nënvizojnë marrëzinë vetëshkatërruese të vendimit të Putinit për ta nisur konfliktin më të madh në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në planin e tij parashikohej një luftë e shkurtër e fitimtare që do ta shuante pavarësinë ukrainase dhe që do ta detyronte këtë shtet që të kthehej në mënyrë të përhershme në orbitën e Kremlinit. Në vend të kësaj, ai tash është person i padëshirueshëm në skenën ndërkombëtare, ndërsa reputacioni i shtetit të tij si superfuqi ushtarake është shkatërruar. Armiqve të tij ukrainas po u rritet vetëbesimi për mundësinë shumë reale të një fitoreje historike vitin e ardhshëm. Me pothuajse çdo matje, Putini është humbësi më i madh i vitit 2022.

Telashet e Putinit mund të lidhen drejtpërdrejt me fushëbetejat e Ukrainës. Ushtria pushtuese e tij ka funksionuar në mënyrë të tmerrshme gjatë dhjetë muajve të fundit dhe ka shënuar disa humbje kyçe, përfshirë Betejën e Kievit, Betejën e Kharkivit dhe Betejën e Khersonit. Besohet se mbi 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose janë plagosur, ndërsa mijëra tanke e automjete të tjera të blinduara janë kapur ose shkatërruar. Këto humbje e kanë detyruar Putinin që ta bëjë mobilizimin e parë ushtarak që nga viti 1945, vendim që e ka destabilizuar Rusinë dhe e ka sjellë luftën brenda në shtëpi, te audienca e brendshme që më parë e përkrahte atë.

Edhe imazhi ndërkombëtar i Rusisë është njollosur shumë nga zbulimi i krimeve të gjera të luftës, të kryera kundër popullsisë civile ukrainase. Trupat ruse akuzohen për kryerjen e ekzekutimeve masive dhe për përfshirje në dhunë seksuale, rrëmbime e torturim në mbarë pjesën e pushtuar të Ukrainës. Miliona ukrainas kanë qenë subjekt i dëbimit me forcë, ndërsa politika e bombardimeve pa dallim ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur e ka rrënuar dhjetëra qyteza e qytete ukrainase. Në muajt e fundit, Rusia e ka filluar shkatërrimin metodik të infrastrukturës civile të Ukrainës me qëllimin e shprehur për t’i privuar ukrainasit nga qasja në ngrohje, rrymë dhe ujë gjatë dimrit.

Shumë vëzhgues ndërkombëtarë i shohin këto politika si asgjë më pak se gjenocid, sidomos pasi kanë qenë të shoqëruara nga një rrjedhë e vazhdueshme e fyerjeve gjenocidale nga propagandistët e regjimit dhe zyrtarët e Kremlinit në Moskë. Të tjerët janë tmerruar nga gatishmëria e Putinit për t'u përfshirë në kërcënime me armë bërthamore. Në shumë raste, udhëheqësi rus ka bërë kërcënime pothuajse të hapura, duke aluduar në përdorimin e mundshëm të arsenalit të madh bërthamor të vendit të tij. Ky shantazh bërthamor ka nxitur kundërpërgjigje të fuqishme. Zyrtarët amerikanë kanë premtuar “pasoja katastrofale” dhe madje edhe Kina, që e përkrah Rusinë, e ka qortuar atë për këtë gjë.

Të gjitha këto e kanë lënë Rusinë më të izoluar në skenën ndërkombëtare se në çdo periudhë tjetër që nga pasojat e menjëhershme të Revolucionit Bolshevik para një shekulli. Në një komunikim të bërë rishtazi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pranoi: “Ne nuk i pëlqejmë askujt dhe ata nuk synojnë që të fillojmë t’u pëlqejmë.” Ai mund ta ketë pasur në mendje, në rend të parë, botën perëndimore, por komenti i tij e pasqyroi edhe realitetin më të gjerë të pozicionit gjithnjë më të pafavorshëm ndërkombëtar të Rusisë. Izolimi i Moskës është më së lehti i dukshëm në Kombet e Bashkuara, ku një varg rezolutash të Asamblesë së Përgjithshme, që e dënojnë pushtimin e Ukrainës, janë miratuar me shumicë të madhe votash. Në mënyrë bindëse, vetëm pak të padëshiruar, si Koreja Veriore e Siria, kanë qenë të përgatitur për të qëndruar me Rusinë.

Më afër shtëpisë, Kremlini është qartazi duke e humbur ndikimin në mbarë ish-Bashkimin Sovjetik. Në Azinë Qendrore, Kazakistani po e distancon haptazi veten nga Rusia përderisa po i fuqizon lidhjet me Kinën, Turqinë dhe Perëndimin. Në Kaukazin Jugor, Azerbajxhani gjithnjë më shumë po e shpërfill rolin formal të Rusisë si paqeruajtëse rajonale, kurse Armenia po reagon me zemërim për dështimin e Moskës që të ofrojë ndonjë mbrojtje kuptimplote. Edhe diktatori bjellorus, Aleksander Lukashenko, i cili varet pothuajse tërësisht nga Kremlini për mbijetesën e tij politike, deri më tani ka arritur që t’i rezistojë presionit rus për të marrë pjesë drejtpërdrejt në pushtimin e Ukrainës.

Në skenën më të gjerë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar sukses për fuqizimin e përkrahjes perëndimore për Ukrainën. Ndërkohë përpjekjet e Putinit për t’i përdorur si armë eksportet e energjisë i janë kthyer bumerang dhe i kanë detyruar shtetet evropiane që të largohen në mënyrë vendimtare nga varësia nga Rusia. Shtetet e grupit BRICS (Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut) vazhdojnë që të blejnë burime ruse, por tash po e bëjnë këtë sipas kushteve të tyre shumë të ngushtuara. Përtej kësaj tregtie pragmatike, ato kanë refuzuar që ta përkrahin Rusinë ose t’i japin Moskës armë që i nevojiten shumë. Kjo e ka detyruar Kremlinin që të kërkojë tanke, predha artilerie, dronë e raketa nga Irani e Bjellorusia.

Çfarë mund të presë Putini2023? Duket se ai beson që aleanca ndërkombëtare kundër pushtimit të tij prapë mund ta humbë interesimin dhe po e vë shpresën e vet te mundësia që udhëheqësit perëndimorë do ta detyrojnë Kievin për të hyrë në një lloj marrëveshje kompromisi, e cila do t’i lejonte Rusisë që të rrëmbente njëfarë fitoreje nga kthetrat e humbjes. Megjithatë, kur shumica e përkrahësve të Ukrainës po deklarojnë publikisht se do t’i lënë ukrainasit që të vendosin se kur do të hyjnë në bisedime, ky rezultat duket me pak gjasa. Pas të gjithave, asnjë qeveri ukrainase nuk do të mund të dënonte miliona bashkëvendës me tmerrin e pushtimit rus me fund të papërcaktuar.

Sipas një skenari shumë më realist, ushtria e armatosur mirë dhe e motivuar fort ukrainase do të vazhdojë që në mënyrë të qëndrueshme të çlirojë territore të pushtuara, përderisa Rusia do të pësojë humbje të rënda në mesin e trupave të rekrutuara, të trajnuar dobët e të pajisur keq. Kjo është recetë për katastrofë për regjimin e Putinit. Ushtria ruse në Ukrainë tashmë është thellësisht e demoralizuar dhe në vështirësi për të kryer ofensiva të lokalizuara. Tretja e mëtejme në muajt e ardhshëm do ta krijojë perspektivën e një kolapsi më gjithëpërfshirës ushtarak, i cili do të mund të kishte pasoja të rënda për të ardhmen e vetë Federatës Ruse.

Përderisa viti 2022 po i afrohet fundit, tashmë është e qartë se vendimi fatal i Putinit për ta pushtuar Ukrainën ka qenë njëri ndër gafat më të mëdha gjeopolitike të epokës moderne. Ëndrra e tij për shpartallimin e rendit të periudhës pas vitit 1991 dhe për rindërtimin e Perandorisë Ruse e ka bërë atë kërcënimin e vetëm më të madh ndaj sigurisë globale dhe e ka vënë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me një koalicion të frikshëm të vendeve më të fuqishme të botës, të cilat me ngurrim e kanë njohur nevojën për ta mposhtur atë. Putini hyn në vitin 2023 me pak miq e edhe më pak opsione. Viti i ri pritet të jetë më i errëti i tërë sundimit të tij. Mund të jetë edhe i fundit.

Peter Dickinson është redaktor i Shërbimit “UkraineAlert” në Këshillin e Atlantikut. Ky shkrim është publikuar fillimisht në uebfaqen e Këshillit të Atlantikut.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme