HRW: Izraeli vrau 106 civilë në një ndërtesë të Gazës në tetor, krim i qartë lufte
Sipas një hulumtimi të organizatës së njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, që u publikua të enjten, një sulm izraelit ndaj një ndërtese në Gaza në tetor të vitit të kaluar nuk kishte shënjestër të qartë militantësh, por la të vrarë 106 civilë, përfshirë 54 fëmijë, duke e bërë atë “krim të qartë lufte”.
Me të drejtën ndërkombëtare ndalohen sulmet ndaj caqeve ushtarake që me gjasë do t’u shkaktojnë dëm joproporcional civilëve. Sulmi i 31 tetorit ishte njëri ndër më vdekjeprurësit që nga fillimi i luftës para gati gjashtë muajve, raporton agjencia “Associated Press”.
Organizata “Human Rights Watch” thotë se katër sulme të ndara e rrënuan Ndërtesën e Inxhinierit në pjesën qendrore të Gazës, ku po strehoheshin rreth 350 persona, rreth një e treta e të cilëve kishin ikur nga shtëpitë e tyre në pjesë të tjera të enklavës.
Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë që po luanin futboll jashtë dhe banorë që po i mbushnin telefonat me rrymë në dyqanin ushqimor në katin e parë, tha më tej organizata për të drejtat e njeriut.
Agjencia “Associated Press” kishte raportuar për vrasjen e katër fëmijëve të një familjeje nga ky sulm në tetor, përfshirë dy djem 18-muajsh binjakë.
“Human Rights Watch” tha se ka intervistuar 16 persona, përfshirë të afërm të të vrarëve nga sulmi, dhe ka analizuar pamje satelitore, 35 fotografi dhe 45 video të pasojave të sulmit. Megjithatë, organizata nuk pati mundësi që ta vizitonte vendin e sulmit, sepse Izraeli e kufizon ashpër qasjen në Gaza.
Dëshmitarët i thanë organizatës se nuk kishte pasur paralajmërim para sulmit. HRW-ja thotë se autoritetet izraelite nuk kanë publikuar ndonjë të dhënë për cakun e pretenduar dhe nuk u janë përgjigjur kërkesave për të ofruar informata.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Associated Press” për koment të enjten.
Izraeli thotë se mundohet që ta shmangë lëndimin e civilëve dhe e fajëson Hamasin për vdekjen e tyre, sepse grupi operon në zonë me popullsi të dendur, por ushtria rrallë i komenton sulmet veç e veç që vrasin dhjetëra njerëz përditë, përfshirë gra e fëmijë.
Izraeli është ballafaquar me shtim të kritikave ndërkombëtare për veprimet në luftë, pasi nga sulmet izraelite këtë javë u vranë shtatë punëtorë të ndihmave. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, nga fillimi i luftës janë vrarë më shumë se 33 mijë palestinezë. Më 7 tetor, Hamasi hyri në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz e duke marrë peng rreth 250 të tjerë. Bombardimi i Rripit të Gazës është njëra nga fushatat më të ashpra ajrore të shekullit XXI.