Hipokrizia e botës: ShBA-ja e Gjermania kundër gjykimit të pushtimit të Palestinës, Rusia pro - NACIONALE

Hipokrizia e botës: ShBA-ja e Gjermania kundër gjykimit të pushtimit të Palestinës, Rusia pro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar rezolutën me të cilën i bëhet thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) që të japë një opinion për pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli. Votat e disa shteteve e shpërfaqën hipokrizinë, përkatësisht standardet e dyfishta të fuqive kryesore botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Organi i lartë i OKB-së e miratoi këtë rezolutë me 87 vota “për”, 22 “kundër” dhe 53 abstenime. Vendet perëndimore ishin të ndara për këtë çështje, ndërsa shtetet arabe i dhanë përkrahje unanime rezolutës – përfshirë shtetet që i kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin. Rezoluta u përkrah edhe nga dy anëtarët e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina.

Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe 24 shtete të tjera - përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – votuan kundër rezolutës, ndërsa Franca ishte në mesin e 53 vendeve që abstenuan, shkruan “Al Jazeera”, përcjell “Nacionale”.

Hipokrizia e fuqive botërore

Rusia dhe Kina e përkrahën rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të kërkuar opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth pasojave ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli. Megjithatë, më 24 shkurt të këtij viti, Federata Ruse e filloi pushtimin e Ukrainës. Për më shumë se dhjetë muaj, Rusia po e vazhdon agresionin e saj, ushtria ruse ka vrarë mijëra civilë e ushtarë ukrainas dhe Moska po refuzon që ta ndërpresë atë që madje nuk e quan as luftë, por “operacion special ushtarak”.

Kina e përkrahu rezolutën e OKB-së për të kërkuar opinion nga GjND-ja rreth pushtimit të tokave palestineze, por nuk e ka dënuar haptazi pushtimin rus të Ukrainës. Sipas Shteteve të Bashkuara, nuk janë parë dëshmi që Pekini i ka ofruar përkrahje ushtarake Moskës, por Kina ka mbajtur qëndrim më të butë ndaj Rusisë, thjesht duke kërkuar bisedime të paqes për përfundimin e luftës.

Shtetet e Bashkuara, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, e kanë dënuar pushtimin rus dhe kanë bërë thirrje për gjykimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për krime lufte. Sidoqoftë, ShBA-ja votoi kundër rezolutës së OKB-së për të kërkuar opinion nga GjND-ja për pushtimin e territoreve palestineze.

Edhe Franca e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Madje presidenti francez, Emmanuel Macron, në prill të këtij viti tha se Rusia “duhet të përgjigjet për krimet” në Ukrainë. Reagimi i tij erdhi pas pamjeve të rënda të civilëve të vrarë në Bucha të Ukrainës. Sidoqoftë, Franca duket se nuk është e interesuar që të trajtohet një rast tjetër i pushtimit, në një pjesë tjetër të botës. Anëtarja e përhershme e Këshillit të Sigurimit abstenoi gjatë votimit të rezolutës së OKB-së për kërkimin e opinionit nga GjND-ja për pushtimin e territoreve palestineze.

Gjermania, gjithashtu, është pjesë e shteteve që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Në ditët e para të luftës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhvilloi bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke i thënë atij se Gjermania “e dënon agresionin rus në termat më të fuqishëm të mundshëm”, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane. Megjithatë, Gjermania votoi kundër rezolutës së OKB-së rreth pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli.

Standarde të dyfishta për Ukrainën e Palestinën ka përdorur edhe Britania e Madhe. Sipas një deklarate të qeverisë britanike, Mbretëria e Bashkuar e dënon “luftën e paprovokuar dhe të paramenduar të qeverisë ruse kundër Ukrainës”. “Mbretëria e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë të bashkuar në përkrahjen për Ukrainën”- thuhet në deklaratë. Megjithatë, Britania votoi kundër rezolutës së OKB-së për të kërkuar opinion nga GjND-ja për pushtimin e tokave palestineze nga forcat izraelite.

Lajme të ngjashme