Rusia e sulmon përsëri Ukrainën, kësaj radhe me dronë kamikazë
Ushtria ukrainase tha të premten se Rusia ka lëshuar 16 dronë kamikazë në Ukrainë gjatë natës së kaluar, një ditë pasi Moska e sulmoi me dhjetëra raketa infrastrukturën kritike të Ukrainës.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se të gjithë dronët, për të cilët tha se ishin dërguar nga juglindja e nga veriu, janë shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes ajrore, shkruan “Reuters”, përcjell “Nacionale”.
Kryetari i kryeqytetit Kiev, Vitali Kliçko, tha në rrjete sociale se shtatë dronë ishin nisur me qëllim të goditjes së këtij qyteti dhe se pesë prej tyre janë shkatërruar brenda Kievit e dy të tjerë duke arritur në qytet.
Sipas kryetarit të administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, një ndërtesë administrative është shkatërruar pjesërisht. Ky zyrtar tha se nuk ka ndonjë informacion për pasoja në njerëz.
Rusia ka kryer disa valë sulmesh me raketa e dronë në Ukrainë nga mesi i tetorit, duke e dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike e duke i detyruar autoritetet që të bëjnë ndërprerje urgjente dhe të planifikuara të rrymës.
Miliona banorë të Ukrainës pritet të ballafaqohen me dimër të vështirë për shkak të mungesës së rrymës, ujit e ngrohjes. Sidoqoftë, bashkëshortja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se populli ukrainas do të durojë gjatë këtij dimri.

