Hezbollahu vret dy ushtarë izraelitë, plagos disa të tjerë - NACIONALE

Hezbollahu vret dy ushtarë izraelitë, plagos disa të tjerë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy ushtarë izraelitë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga sulmet e Hezbollahut me raketa e dronë në veri të Izraelit të enjten, njoftoi ushtria izraelite.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit i identifikuan ushtarët e vrarë si Major (rezervist) Nael Fwarsy, 43 vjeç, komandant i një kompanie të logjistikës në Batalionin e 299-të të Brigadës së 300-të Rajonale “Baram”, dhe Rreshter Tomer Keren, 20 vjeç, nga Batalioni i 51-të i Brigadës “Golani”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Fwarsy u vra dhe një ushtar tjetër u plagos lehtë, pasi një dron i ngarkuar me lëndë shpërthyese dhe i lëshuar nga Hezbollahu goditi një zonë afër Ya’ara-s, në Galileun Perëndimor.

Kereni u vra dhe tetë ushtarë të tjerë u plagosën, përfshirë një seriozisht, pasi dy raketa kundërtanke të hedhura nga Hezbollahu prej territorit të Libanit goditën një pozicion në zonën Ramim Ridge, afër kufirit.

Qendra Mjekësore Rambam në Haifa tha se kishte pranuar dy persona në gjendje mesatare deri serioze, ndërsa Spitali Ziv në Safed tha se kishte pranuar gjashtë njerëz të lënduar lehtë.

Në një video të publikuar në rrjete sociale shihet një predhë duke goditur një fermë pulash në komunitetin bujqësor Margaliot. Nuk pati të lënduar. Ferma ishte plot pula në kohën e sulmit dhe nuk qe e qartë nëse ato janë lënduar.

Ushtria izraelite tha se u kundërpërgjigj me zjarr artilerie në burimin e raketahedhësve./Nacionale

Lajme të ngjashme