"S'di çfarë do të bëj pas fitores": heqësit ukrainas të minave e largojnë rrezikun për civilët - NACIONALE

"S'di çfarë do të bëj pas fitores": heqësit ukrainas të minave e largojnë rrezikun për civilët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pranë një kampi të braktisur ushtarak në lindje të Ukrainës, trupi i një burri po dekompozohet mbi bar – një civil që ka rënë viktimë e një mine me tel, e vendosur nga forcat ruse, që tashmë janë tërhequr nga ai vend.

Associated Press

Afër këtij vendi, një grup i heqësve ukrainas të minave, pjesë e forcave të mbrojtjes territoriale, po punonin që ta pastronin zonën nga dhjetëra mina të tjera vdekjeprurëse e municioni i pashpërthyer në përpjekje për ta kthyer ndjenjën e sigurisë në qytete, qyteza e fshatra të një rajoni që disa muaj ishte nën pushtimin rus.

Këta heqës të minave, pjesë e Brigadës së 113-të të Mbrojtjes në Kharkiv, u futën thellë në ugarët e vendit të enjten përgjatë një rruge me baltë, mes fushave të lulediellave të thara.

Dy ushtarë, secili me detektor metali në dorë, po ecnin ngadalë përpjetë rrugës, duke e kontrolluar tokën e duke pritur që pajisjet të jepnin ndonjë sinjal. Kur njëri detektor lëshoi ton të lartë, ushtari ra në gjunjë për t’i kontrolluar baltën dhe barin, duhe kërkuar me një shufër metalike për të parë se çfarë mund të ketë pak centimetra nën dhe.

Sinjali i detektorit mund të ishte shenjë për ndonjë kasë të harxhuar të predhave, ndonjë pjesë hekuri të ndryshkur ose ndonjë kënaçe alumini – ose mund të jetë një minë aktive tokësore.

Oleksii Dokuchaev, komandand i brigadës së heqësve të minave në rajonin Kharkiv, tha se qindra mina tashmë janë çaktivizuar në zonën përreth fshatit Hrakove, ku ata po punonin, por rreziku nga minat në mbarë Ukrainën do të mbetet disa vjet.

Një vit lufte është i barabartë me dhjetë vite deminim. Edhe tash, ne ende po gjejmë municion nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa në këtë luftë, ato po vendosen në të majtë e në të djathtë”, tha ai.

Forcat ruse u larguan me ngut nga rajoni i Kharkiv-it në fillim të shtatorit, pasi qindra kilometra katrorë territor u morën nën kontroll nga forcat ukrainase përmes një kundërsulmi të shpejtë pas disa muajve të pushtimit rus.

Përderisa shumë vendbanime të këtij rajoni më në fund kanë arritur disa masa të sigurisë, pasi betejat e ashpra lanë shumë prej tyre në gërmadha, minat tokësore ruse mbeten rrezik gjithnjë i pranishëm edhe në mjediset urbane, edhe në ato rurale.

Shenjat e vogla të kuqe, me kafkë e kocka, shihen në shumë rrugë të rajonit Kharkiv, duke paralajmëruar për rrezikun e minave pranë trotuareve. Prapëseprapë, dëshpërimi nganjëherë i çon banorët lokanë nëpër fushat e minuara.

Burri që ka mbetur i vdekur nga shpërthimi i një mine ruse pranë kampit të braktisur ushtarak, me gjasë, ishte duke kërkuar ushqim të lënë nga ushtarët pushtues, tha Dokuchaev-i, rrezik shtesë që paraqitet nga uria e përjetuar nga shumë njerëz në rajonet e shkatërruara ukrainase.

Përdorimi i llojit të minave me tel, që e vranë këtë burrë, është i ndaluar me Traktatin e Otavës të vitit 1997, i cili e rregullon përdorimin e minave tokësore kundër personelit, tha ushtari ukrainas. Sidoqoftë, Rusia nuk e ka nënshkruar këtë traktat.

“Ka rregulla të luftës. Konventa e Otavës thotë se është e ndaluar që të vendosen mina ose municione të tjera me tela, por rusët e shpërfillin atë”, tha ai.

Deminuesit e kishin pastruar rrugën nga minat kundër personelit ditën paraprake, duke ua mundësuar kërkimin e minave anti-tank, të fshehura nën tokë, që mund të shkatërrojnë ndonjë automjet që shkel mbi to.

Ata po shpresonin që të depërtonin mjaftueshëm thellë në zonë për të nxjerrë një automjet të blinduar rus për transportim të personelit, të cilit synonin t’ia merrnin motorin. Edhe policia lokale duhet të fusë një automjet për ta marrë trupin e burrit të vdekur.

Para luftës Dokuchaev-i ishte fotograf. Ai thotë se puna e brigadës së tij është thelbësore për sigurinë e civilëve, të cilët po mundohen që ta rindërtojnë jetën e shpartalluar. Pavarësisht nga rreziku, thotë se i pëlqen puna e deminimit.

"Nuk di se çfarë do të bëj pas fitores sonë. Jeta është e mërzitshme pa shpërthime”, tha ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme