Pritet hapja e kufirit, Egjipti përgatit rreth 80 autoambulanca për palestinezët e lënduar
Rreth 80 autoambulanca nga Egjipti arritën të mërkurën në pikëkalimin kufitar në Rafah për të marrë pacientë të lënduar palestinezë, i tha televizionit CNN një zyrtar kufitar egjiptian.
Këta pacientë do të jenë palestinezët e parë të njohur që u lejohet dalja nga Gaza që nga fillimi i luftës para më shumë se tri javëve, nëse ata futen në Egjipt, raporton televizioni amerikan.
Më herët, një zyrtar kufitar egjiptian i tha televizionit CNN se pikëkalimi pritej të hapej për ta lejuar hyrjen e 81 palestinezëve të plagosur në Egjipt për të marrë trajtim mjekësor në spitalet egjiptiane.
Drejtori i spitalit “Al Shifa” në Gazë, Dr. Mohammed Abu Silmiyeh, tha se shumica e pacientëve kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike në dhoma operacionesh, procedurë që tash për tash nuk mund të kryhet në enklavën e goditur nga sulmet ajrore izraelite.
#فيديو | دخول مركبات إسعاف إلى معبر رفح لنقل جرحى إلى مصر. pic.twitter.com/KeHF7f4eNV
— وكالة شهاب للأنباء (@ShehabAgency) November 1, 2023
Ndërkohë, raportohet se Katari ka ndërmjetësuar për arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit, Hamasit e Egjiptit, në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, për ta lejuar lirimin e të gjithë shtetasve të huaj dhe civilëve të lënduar në masë kritike nga Gaza, sipas burimeve të afërta me këto bisedime.
Burimi shtoi se kjo marrëveshje është e ndarë nga bisedimet për lirimin e pengjeve.
Nuk është njoftuar ndonjë afat kohor ose hollësi për numrin e personave që do të lirohen për t’u larguar.
