Hamasi thotë se të paktën 40 njerëz u vranë nga sulmet izraelite në zonën e sigurt në Gaza - NACIONALE

Hamasi thotë se të paktën 40 njerëz u vranë nga sulmet izraelite në zonën e sigurt në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku 40 persona janë vrarë në jug të Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar nga sulmet izraelite në një vend që ishte caktuar si zonë humanitare, tha Mbrojtja Civile, e menaxhuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha se aeroplanët e saj sulmuan një qendër operacionesh në Khan Yunis që u përkiste luftëtarëve të Hamasit dhe që kishte bërë hapa për ta shmangur rrezikun e lëndimit të civilëve, raporton televizioni BBC.

Banorët thanë se në shënjestër të tri sulmeve ishin tendat me njerëz në zhvendosur në zonën humanitare al-Mawasi, në perëndim të qytetit Khan Yunis, duke shkaktuar kratere të mëdha, shtatë metra të thella.

“40 njerëz u vranë dhe mbi 60 u plagosën, përderisa shumë janë ende nën rrënoja” – i tha televizionit BBC drejtori i operacioneve i Mbrojtjes Civile.

Dëshmitarët i thanë BBC-së se shpërthime të mëdha e goditën zonën al-Mawasi pak pas mesnatës dhe se flaka mund të shihej duke u ngritur në qiell.

Khaled Mahmoud, vullnetar që punon për një organizatë bamirëse dhe që jeton afër vendit të sulmeve, tha se ai dhe vullnetarë të tjerë nxituan që të ofronin ndihmë, por u shtangën nga niveli i katastrofës.

“Sulmet formuan tri kratere shtatë metra të thella dhe futën në dhe mbi 20 tenda” – tha vullnetari Mahmoud.

Në video të pavërtetuara shfaqeshin civilë duke larguar rërë me duar në përpjekje për të shpëtuar palestinezë nga një gropë e thellë që ishte shkaktuar nga sulmet ajrore.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria kishte sulmuar “terroristë të rëndësishëm të Hamasit që po operonin brenda një qendre të komandës dhe kontrollit të ngulitur brenda Zonës Humanitare në Khan Yunis".

Në anën tjetër, Hamasi i mohoi pretendimet e ushtrisë izraelite se në zonë kishte të pranishëm luftëtarë të këtij grupi, duke i quajtur ato gënjeshtër “flagrante”./Nacionale

Lajme të ngjashme