Hamasi e ka pranuar draft-marrëveshjen për armëpushim në Gaza, thonë zyrtarët - NACIONALE

Hamasi e ka pranuar draft-marrëveshjen për armëpushim në Gaza, thonë zyrtarët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grupi palestinez Hamas ka pranuar një draft-marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve, thonë dy zyrtarë të përfshirë në bisedime.

Një zyrtar izraelit thotë se është bërë përparim, por hollësitë janë duke u finalizuar, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, ka siguruar një kopje të marrëveshjes së propozuar dhe një zyrtar egjiptian e një zyrtar i Hamasit e kanë vërtetuara origjinalitetin e dokumentit.

Drafti duhet t’i dorëzohet edhe kabinetit izraelit për miratim përfundimtar.

Të tre zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth bisedimeve që janë mbajtur prapa dyerve të mbyllura.

Më herët, televizioni BBC raportoi se të dyja palët u pajtuan që Hamasi do të lironte tri pengje në ditën e parë të marrëveshjes, ndërsa më pas Izraeli do ta fillonte tërheqjen e trupave nga zonat e populluara.

Shtatë ditë më pas, Hamasi do të lironte katër pengje shtesë, ndërsa Izraeli do t’i lejonte njerëzit e zhvendosur në jug që të riktheheshin në pjesën veriore të enklavës, por vetëm në këmbë përmes rrugës bregdetare.

Marrëveshja përfshin dispozita që forcat izraelite të mbeten në korridorin Filadelfi dhe të mbajnë një zonë neutral 800-metërshe përgjatë kufijve lindorë dhe veriorë të Gazës gjatë fazës së parë të armëpushimit, e cila do të zgjasë 42 ditë.

Izraeli gjithashtu është pajtuar për të liruar 1.000 të burgosur palestinezë, përfshirë rreth 190 të cilët kanë qenë duke vuajtur dënime me burgim prej 15 vjetësh ose më shumë. Si këmbim, Hamasi do të lirojë 34 pengje.

Bisedimet për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillonin në ditën e 16-të të armëpushimit, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit./Nacionale

Lajme të ngjashme