Hamasi dorëzon edhe dy trupa të pengjeve izraelite - NACIONALE

Hamasi dorëzon edhe dy trupa të pengjeve izraelite

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Hamasi të enjten dorëzoi edhe dy trupa të pengjeve izraelite, një ditë pasi armëpushimi i brishtë në Gaza u drodh nga një varg i sulmeve vdekjeprurëse izraelite në pjesë të ndryshme të enklavës.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se dy trupat janë pranuar nga forcat izraelite përmes Kryqit të Kuq në Gaza dhe do të dërgohen në Izrael për identifikim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi i liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të lirimit të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, ndërsa Izraeli i tërhoqi trupat nga një pjesë e Rripit të Gazës, e ndali ofensivën dhe e shtoi sasinë e ndihmave që lejohet të futen në enklavë.

Hamasi gjithashtu është pajtuar që t’i dorëzojë mbetjet e të gjitha 28 pengjeve të vdekura në këmbim të 360 militantëve palestinezë të vrarë gjatë luftës. Sidoqoftë, deri të enjten ka dorëzuar vetëm 17 trupa.

Izraeli thotë se Hamasi ka qenë shumë i ngadalshëm në dorëzimin e trupave të pengjeve që ndodhen ende në Gaza. Grupi palestinez thotë se do të nevojitet kohë për lokalizimin dhe tërheqjen e të gjitha mbetjeve.

Mosmarrëveshja për gjetjen dhe dorëzimin e trupave të pengjeve ka qenë njëra nga vështirësitë që e kanë ndërlikuar planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Nga e marta deri të mërkurën, Izraeli u hakmor për një sulm palestinez ndaj trupave të tij, ku mbeti u vrarë një ushtar, me bombardime nga të cilat autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se u vranë 104 njerëz.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se në mesin e 104 të vrarëve nga sulmet ajrore ishin 46 fëmijë e 20 gra. Izraeli tha se në cak të sulmeve ishin dhjetëra militantë.

Lajme të ngjashme