Guterresi i thotë Putinit në Rusi se pushtimi i Ukrainës e shkel të drejtën ndërkombëtare - NACIONALE

Guterresi i thotë Putinit në Rusi se pushtimi i Ukrainës e shkel të drejtën ndërkombëtare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i tha të enjten presidentit rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës i shkel Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, sipas një deklarate të Kombeve të Bashkuara pas takimit mes tyre në samitin e BRICS-it në qytetin Kazan të Rusisë.

Në deklaratë thuhet se Guterresi e përsëriti pozicionin e tij për pushtimin rus të Ukrainës gjatë takimit me kreun e Kremlinit. Ky ishte takimi i parë mes dy figurave që nga prilli i vitit 2022, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Sekretari Guterres, vizita e të cilit në Rusi ndodhi në kohën kur forcat ruse po i vazhdojnë sulmet e tyre pa dallim ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase, u fotografua duke ia shtrënguar dorën Putinit para takimit.

Në një fjalim të mëhershëm para delegatëve të samitit dhe përballë Putinit, Guterresi bëri thirrje për “paqe të drejtë” në Ukrainë.

“Kemi nevojë për paqe në Ukrainë. Një paqe e drejtë në vijë me Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme [të OKB-së]” – tha Guterresi, prania e të cilit në samit nxiti reagim me zemërim nga Ukraina.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e refuzoi ftesën e Ukrainës për Samitin e parë Global të Paqes në Zvicër. Ai, megjithatë, e pranoi ftesën në Kazan nga krimineli i luftës, Putini. Kjo është një zgjedhje e gabuar që nuk e avancon kauzën e paqes. Ajo vetëm e dëmton reputacionin e OKB-së” – shkroi të martën në rrjetin X Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Figura opozitare ruse, Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit tashmë të ndjerë, Alexei Navalny, gjithashtu e kritikoi Guterresin për takimin me Putinin, duke e quajtur “vrasës” presidentin rus.

“Ishte viti i tretë i luftës dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po i shtrëngonte duart me një vrasës” – shkroi ajo në rrjetin X, duke publikuar një fotografi ku Putini shihet duke u përshëndetur me Guterresin.

Lajme të ngjashme