Grupi Mashco Piro vret me shtiza dy sharrëxhi në Amazonë, dy të tjerë të zhdukur - NACIONALE

Grupi Mashco Piro vret me shtiza dy sharrëxhi në Amazonë, dy të tjerë të zhdukur

1 javë më parë

nga NACIONALE

Të paktën dy sharrëxhinj janë qëlluar për vdekje me heshta, një tjetër është lënduar dhe dy janë zhdukur pas një ballafaqimi me anëtarët e fisit “të pakontakutar” Mashco Piro në pjesën peruane të Amazonës, sipas aktivistëve për të drejtat e indogjenëve, që e kanë kritikuar Qeverinë se ka dështuar që ta njohë dhe ta mbrojë tërë territorin e këtyre njerëzve të izoluar.

Sulmi vdekjeprurës, që ndodhi të enjten e kaluar por u bë i ditur këtë javë, ndodhi një ditë para se Këshilli për Kujdestarinë e Pyjeve ta pezullonte për tetë muaj certifikatën e qëndrueshmërisë për një kompani të prerjes së drurëve, të cilën aktivistët e kanë akuzuar për cenim të tokës stërgjyshore të grupit, raporton gazeta “The Guardian”.

Grupet indogjene të Amazonës peruane dhe OJQ-ja “Mbijetesa Ndërkombëtare” ka kërkuar që organizata ndërkombëtare FSC ta anulojë në mënyrë të përhershme certifikatën për lëndë druri në Canales Tahuamanu, që kufizohet me rezervën ku jeton grupi i izoluar indogjen.

Sulmi ndaj sharrëxhinjve ndodhi afër Lumit Pariamanu në provincën Madre de Dios, në një zonë të territorit stërgjyshor të grupit Mashco Piro.

Muajin e kaluar, në të njëjtën zonë ndodhi një sulm i ngjashëm, kur të paktën një sharrëxhi u plagos, ndërsa më 2022, një sharrëxhi tjetër ishte vrarë me shtiza dhe një tjetër ishte lënduar.

Ministria e Kulturës e Perusë, që është përgjegjëse për të drejtat e njerëzve indogjenë, tha në një deklaratë se ishte duke i hulumtuar raportimet dhe duke e bashkërenduar punën me zyrën e prokurorit lokal dhe me policinë për të dislokuar një helikopter në zonën ku ka ndodhur incidenti./Nacionale

Lajme të ngjashme