Grupi “Kataib Hezbollah” thotë se pesë anëtarë iu vranë nga sulmet e ShBA-së në Irak - NACIONALE

Grupi “Kataib Hezbollah” thotë se pesë anëtarë iu vranë nga sulmet e ShBA-së në Irak

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi militant “Khataib Hezbollah” tha se pesë anëtarë të tij u vranë në bastionin Jurf al-Sakhar, në jug të kryeqytetit irakian, Bagdad, nga sulmet amerikane për të cilat Uashingtoni tha se ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të grupeve të lidhura me Iranin ndaj forcave të tij në rajon.

Shtetet e Bashkuara kryen dy valë sulmesh në Irak të martën dhe të mërkurën, kundërpërgjigjet e para të raportuara në territorin irakian ndaj dhjetëra sulmeve që kanë ndodhur rishtazi dhe si shenjë e eskalimit të një konflikti rajonal të ndërlidhur me luftën Izrael – Hamas, raporton agjencia “Reuters”.

Sulmet filluan më 17 tetor dhe kanë qenë të lidhura nga grupet militante irakiane me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin gjatë bombardimeve të këtij shteti në Gaza pas sulmit të Hamasit në territorin e tij më 7 tetor.

Në shënjestër të sulmeve me aeroplanë luftarakë ishte një qendër operacionesh e grupit “Kataib Hezbollah” dhe një pikë komande e kontrolli afër Al- Anbar-it dhe Jurf Al-Sakhar-it. Të gjitha caqet u shkatërruan, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes.

Një zyrtar ushtarak irakian tha se të paktën tre anëtarë të grupit “Kataib Hezbollah” u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga sulmet amerikane gjatë natës.

Grupi “Kataib Hezbollah” është pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor, grup që përbëhet nga shumë grupe të armatosura kryesisht shiite, i formuar më 2014 për të luftuar kundër ISIS-it dhe rrjedhimisht i njohur si agjenci zyrtare e sigurisë nga Qeveria e Irakut.

Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia Al-Sudani, ka kontroll të kufizuar mbi disa grupe të përkrahura nga Irani, për mbështetjen e të cilave kishte nevojë për ta fituar pushtetin para një viti.

Lajme të ngjashme