Grupi i njohur izraelit për të drejtat e njeriut e akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza - NACIONALE

Grupi i njohur izraelit për të drejtat e njeriut e akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një grup i njohur izraelit për të drejtat e njeriut e ka akuzuar Izraelin për “kryerje të gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza”, duke u bërë organizata e parë e këtij lloji që e bën këtë pretendim.

Grupi “B’Tselem” tha në një raport të publikuar të hënën se ka arritur në “konkluzionin e padyshimtë” pas një “ekzaminimi të politikës së Izraelit në Rripin e Gazës dhe rezultateve të tmerrshme të saj, bashkë me deklaratat nga politikanë të lartë e komandantë ushtarakë izraelitë për qëllimet e sulmit”, raporton televizioni CNN.

Një grup tjetër izraelit, “Mjekët për të Drejtat e Njeriut Izrael” (PHRI), njoftoi se do t’i bashkohej konkluzionit të grupit “B’Tselem” për t’i cilësuar gjenocid veprimet e Izraelit në Gaza. Ky grup publikoi një analizë ligjore dhe mjekësore që e dokumenton atë që e quajti “shfarosje të qëllimshme dhe sistematike të sistemit shëndetësor në Gaza”.

CNN ka kërkuar koment nga Qeveria dhe forcat e armatosura të Izraelit.

Izraeli vazhdimisht ka argumentuar se është duke vepruar në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se lufta në Gaza pas sulmeve të Hamasit më 2023 është vetëmbrojtje.

Në raportin me 79 faqe të grupit “B’Tselem” thuhet se realiteti në terren në Gaza “nuk mund të justifikohet ose të shpjegohet si një përpjekje për ta çmontuar regjimin e Hamasit ose kapaciteteve ushtarake të tij”.

Grupi tha se sulmi i Izraelit në Gaza i përfshin vrasjet masive – edhe përmes sulmeve të drejtpërdrejta, edhe përmes krijimit të kushteve katastrofale të jetesës – shkatërrim në shkallë të lartë i infrastrukturës dhe modelit social, arrestime masive dhe abuzim të të ndaluarve, si dhe zhvendosje masive të detyrueshme, përfshirë përpjekjet për spastrim etnik.

Më tej, grupi tha se deklaratat e bëra nga vendimmarrës të lartë izraelitë “e kanë shprehur qëllimin gjenocidal gjatë tërë” konfliktit.

Grupi PHRI shtoi se provat që i ka grumbulluar tregojnë një “çmontim të qëllimshëm dhe sistematik të sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës dhe të sistemeve të tjera jetike për mbijetesën e popullsisë”./Nacionale

Lajme të ngjashme