Grupi G7 i ashpërson sanksionet ndaj Rusisë, premton përkrahje për Ukrainën
Udhëheqësit e demokracive më të pasura të botës u pajtuan të premten në Japoni për ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe premtuan përkrahje financiare për Ukrainën, përderisa presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, po përgatitet për t’u takuar me ta në Hiroshima.
Pritet që udhëheqësit e fuqive botërore të diskutojnë edhe për tensionet mes vendeve të tyre dhe Kinës. Samiti do të vazhdojë deri të dielën, ndërsa zyrtarët thanë se Zelensky do të marrë pjesë në takim gjatë fundjavës, raporton agjencia “Reuters”.
Udhëheqësit thanë në një deklaratë të përbashkët se masat ekzistuese kundër Rusisë do të zgjerohen dhe se çfarëdo eksporti që do të mund ta ndihmonte luftën e Moskës kundër Ukrainës do të kufizohet në të gjitha shtetet e Grupit G7.
“Këtu përfshihen eksportet e makinerisë industriale, veglave dhe teknologjisë tjetër që Rusia i përdor për ta rindërtuar makinerinë e saj të luftës”- thuhet në deklaratën e përbashkët, ku shtohet se do të vazhdojnë përpjekjet për kufizimin e të hyrave të Rusisë nga tregtia me metale dhe diamante.
Grupi i demokracive të pasura e përsëriti dënimin e atij që e quajti agresion të Rusisë dhe premtoi përkrahje të mëtejme ushtarake e financiare për Ukrainën gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
Zelensky pritet të marrë pjesë në samit të dielën, thanë dy zyrtarë të përfshirë në takimet e nivelit të lartë, duke refuzuar që të identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
