Grupet serbe e ruse të së djathtës ekstreme po i bashkojnë forcat
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, përfaqësues të organizatave të së djathtës ekstreme nga Serbia kanë udhëtuar për në Rusi dhe kanë mbajtur kontakte me grupe ekstremiste të këtij shteti, sipas një hulumtimi të Radios “Evropa e Lirë”.
Presidenca çeke e BE-së rishtazi përgatiti një raport në të cilin u diskutua efikasiteti i ndalimit të ekstremistëve të krahut të djathtë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Lidhjet e partive djathtiste serbe me Rusinë theksohen posaçërisht në këtë dokument.
Pushkë, ikona ortodokse dhe fotografi të herëpashershme të kriminelëve të luftës në mure – kështu duken zyrat e organizatës “Srbska Akcija”, organizatë e paregjistruar klerike e fashiste, dhe Lëvizjes Perandorake Ruse, anëtarët e së cilës po marrin pjesë në luftë në lindje të Ukrainës, duke luftuar për “bashkimin e popullit rus në një shtet”, shkruan "Serbian Monitor".
Në fillim të majit, në kanalin e organizatës “Srbska Akcija” në “YouTube” u publikua një video në të cilën shihej vizita e ekstremistëve serbë të së djathtës në hapësirat e Legjionit Perandorak, krah i Lëvizjes Perandorake Ruse në Shën Petersburg. Në videon 20-minutëshe, Denis Gariyev, udhëheqës i legjionit, ua tregon dy anëtarëve të organizatës “Srbska Akcija” poligonin e qitjes, depot e armëve dhe duke u bërë një prezantim për organizatën e tij.

Legjioni Perandorak është organizatë ultra-nacionaliste në Rusi, e cilësuar si kërcënim global më 2020 nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së. Në dokument, udhëheqësit e kësaj organizate, Stanislav Vorobyov, Denis Gariyev dhe Nikolay Trushchalov cilësohen terroristë, sepse legjioni “ofron trajnime të stilit ushtarak për supremacistët e bardhë dhe neo-nazistët në Evropë dhe punon në mënyrë aktive për ta bashkuar këtë grup në një front të përbashkët kundër armiqve të tyre të pretenduar”.
Siç thotë Gariyev-i në një bisedë me anëtarët e organizatës “Srbska Akcija”, anëtarët e Legjionit Perandorak kanë luftuar në lindje të Ukrainës që nga viti 2014. Sipas tij, Legjioni Imperialist është organizatë monarkiste dhe e sheh Rusinë “vetëm si monarki”. Gariyev-i dhe pasuesit e tij kthehen te periudha e ish-Perandorisë Ruse, që udhëhiqej nga cari dhe ishte zgjeruar me territor në territoret e sotme të Ukrainës, Polonisë, Finlandës, Bjellorusisë, Moldavisë e Kazakistanit.
“Ne besojmë se ajo që po ndodh në Ukrainë është luftë civile në territorin rus. Ne, njësoj si serbët, e kemi obligim bashkimin e popullit tonë në një shtet të vetëm, që, fatkeqësisht, është ndarë”, tha Gariyev-i në video, duke e aluduar ideologjinë e “Serbisë së Madhe”, të trashëguar nga disa parti e lëvizje që nga të nëntëdhjetat e hershme në Serbi.
Gariyev-i e shfaqi përkushtimin e tij ndaj një ideologjie të tillë duke u treguar mysafirëve nga Serbia një “klasë” ku dhjetëra anëtarë të Legjionit Perandorak shiheshin duke i pastruar pushkët e tyre. Në murin e asaj dhome ishte varur një fotografi e Ratko Mlladiqit, ish-komandant ushtarak i Republikës Serbe, që është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. “Ju të gjithë e dini se kush është ai”, thotë Gariyev-i përderisa me krenari bën me shenjë nga portreti i Mlladiqit.

Mu pranë fotografisë së ish-gjeneralit të dënuar ndodhet portreti i Yuri Budanob-it, ish-oficer ushtarak rus, i dënuar nga një gjykatë ruse me dhjetë vite burgim për rrëmbimin dhe vrasjen e një vajze 17-vjeçare në vitin 2000 gjatë luftës në Çeçeni. Ai ishte liruar me kusht pas qëndrimit për tetë vjet në burg dhe më 2011 ishte vrarë në Moskë nga një çeçen.
Dokumenti i presidencës çeke të BE-së gjithashtu i vë në pah lidhjet e fuqishme që Rusia i ka me vendet kryesisht të krishtera të Ballkanit Perëndimor.
“Marrëdhënia e fuqishme që Rusia e ka ndërtuar me popullsinë e krishterë ortodokse në rajon është njëra nga arsyet për rritjen e mosbesimit ndaj Perëndimit. Rusia e paraqet veten si mbrojtëse të popujve të caktuar, por gjithashtu të grupeve të krishtera ortodokse në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në dokument.
“Vizitat e anëtarëve të organizatës serbe të së djathtës ekstreme në Rusi është tepër shqetësuese”, shtohet në raport.
Michael Colborne, gazetar dhe udhëheqës i grupit hulumtues për të djathtën ekstreme në uebfaqen “Bellingcat”, i tha Radios “Evropa e Lirë”: “Jam i shqetësuar që, në kontekstin e luftës së tanishme në Ukrainë, kjo mund të krijojë një mundësi për Beogradin dhe Serbinë që të bëhen bazë për disa anëtarë të së djathtës ekstreme ndërkombëtare, sidomos për ata që kanë pikëpamje të fuqishme pro-ruse.”
Sipas një raporti të përgatitur nga Qendra për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, dy anëtarë të organizatës së të djathtës ekstreme me bazë në Suedi, “Lëvizja Nordike për Rezistencë” – Anton Thulin dhe Viktor Melin – kanë marrë pjesë në programin trajnues të forcave paramilitare të Legjionit Perandorak në Shën Petersburg në gusht të vitit 2016./Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli