Grupet kurde e refuzojnë tërheqjen nga Aleppo, ShBA-ja me përpjekje për t’u dhënë fund luftimeve - NACIONALE

Grupet kurde e refuzojnë tërheqjen nga Aleppo, ShBA-ja me përpjekje për t’u dhënë fund luftimeve

2 javë më parë

nga NACIONALE

Grupet kurde të premten refuzuan një kërkesë të Qeverisë së Sirisë për t’i tërhequr luftëtarët e tyre nga disa pjesë të Aleppos sipas një armëpushimi të propozuar. Forcat qeveritare kryen sulme të reja, ndërsa fuqitë perëndimore po bëjnë thirrje që t’u jepet fund përleshjeve.

Të paktën nëntë civilë janë vrarë e mbi 140 mijë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Aleppo, ku forcat kurde po mundohen që të mbeten në disa lagje që i kanë kontrolluar që nga ditët e hershme të luftës civile më 2011, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Armëpushimi i njoftuar mbrëmjen e kaluar nga Ministria e Mbrojtjes e kërkon tërheqjen e forcave kurde dhe vendosjen e tyre në pjesën verilindore që kontrollohet nga to. Një gjë e tillë praktikisht do t’i jepte fund kontrollit kurd në disa pjesë të Aleppos që forcat kurde i kanë mbajtur.

Sidoqoftë, përmes një deklarate, këshillet kurde që i drejtojnë distriktet Sheikh Maksoud dhe Ashrafiyah thanë se thirrjet për t’u larguar janë “thirrje për dorëzim” dhe se forcat kurde “do t’i mbrojnë lagjet e tyre”, duke i akuzuar forcat qeveritare për sulme intensive me predha.

Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha më vonë se synon që t’i vërë në shënjestër zonat e Aleppos për të cilat tha se po përdoren nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) që udhëhiqen nga kurdët për të kryer sulme ndaj “popullit të Aleppos”, duke publikuar pesë harta ku u theksuan zonat që do t’i sulmonte. Këto sulme nisën afro dy orë më vonë.

Forcat kurde në Aleppo tha se në këto harta përfshihet një spital për të cilin thanë se është goditur katër herë nga e enjtja dhe se do t’i mbajë autoritetet qendrore përgjegjëse për çfarëdo dëmi që u shkaktohet civilëve.

Ministria e Mbrojtjes e Sirisë e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se ndërtesa është një depo e madhe armësh dhe se ajo ishte shkatërruar me rinisjen e sulmeve të premten.

Një diplomat perëndimor tha se përpjekjet për ndërmjetësim janë të përqendruara në qetësimin e situatës dhe prodhimin e një marrëveshjeje që do ta sillte tërheqjen e forcave kurde nga Aleppo dhe ofrimin e garancive të sigurisë për kurdët që qëndrojnë.

Diplomati tha se emisari amerikan, Tom Barrack, ishte rrugës për në Damask. Sidoqoftë, një zëdhënës i Barrack-ut refuzoi që të komentonte./Nacionale

Lajme të ngjashme