Grindja përfundon tragjikisht: Tre të vrarë e dy të plagosur në Utah të ShBA-së - NACIONALE

Grindja përfundon tragjikisht: Tre të vrarë e dy të plagosur në Utah të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre persona, përfshirë një foshnjë 8-muajshe, u qëlluan për vdekje, ndërsa dy adoleshentë u plagosën pas një grindjeje mes dy grupeve në një karnival të përvitshëm në periferinë e qytetit Salt Lake City në Utah të ShBA-së të dielën në mbrëmje, tha policia amerikane.

Në mesin e të vrarëve ishte një grua 41-vjeçare, kalimtare e rastit, ndërsa një burrë 18-vjeçar në njërin nga grupet e përfshira në grindje gjithashtu u vra nga të shtënat që ndodhën gjatë festivalit “Westfest” në Centennial Park, sipas policisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Policia lokale tha se, përderisa policët po afroheshin për ta ndërprerë grindjen mes dy grupeve, një djalë 16-vjeçar nxori një armë dhe hapi zjarr në drejtim të grupit tjetër.

Policia u kundërpërgjigj me zjarr, por nuk e goditi të dyshuarin, thanë autoritetet, duke shtuar se i dyshuari tashmë është dërguar në ndalim.

Adoleshentët e plagosur, një mashkull dhe një femër, u goditën në krahë, por nuk ishte e qartë nëse ata ishin të lidhur me grupet e përfshira në përleshje, tha policia.

Deri më tani këtë vit në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur 156 raste të tilla të të shtënave, kur incidenti përkufizohet si rast me katër persona të qëlluar ose të vrarë, pa e përfshirë sulmuesin, sipas Arkivit të Dhunës me Armë.

Lajme të ngjashme