Google njofton përparim të madh në mënyrën e përdorimit të kompjuterëve
Google ka njoftuar për një zbulim të rëndësishëm drejt mënyrës së përdorimit të kompjuterëve kuantikë për aplikime praktike.
Sipas inxhinerëve të Google, pas këtij zbulimi është bërë edhe një përparim i madh drejt ndërtimit të një kompjuteri kuantik funksional, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e një prej problemeve që ka munduar teknologjinë - atë të korrigjimit të gabimeve.
Duke shtuar se sistemet kompjuterike kuantike janë parë si e ardhmja e informatikës, duke qenë në gjendje të bëjnë llogaritje që mund të jenë shumë të vështira ose të pamundura në kompjuterët "klasikë" që përdorim sot, The Independent shkruan se, studiuesit e Google Quantum AI, kanë thënë se e kanë gjetur një mënyrë për të ndërtuar teknologjinë në mënyrë që të korigjohen gabime dhe që të ulet shkalla e gabimit ndërsa madhësia e sistemit rritet.
Drejtori inxhinierik i Google, Dr Hartmut Neven, ka thënë se ndërsa ka ende sfida përpara, ai mendon se në këtë fazë, mund të premtohet me besim “një vlerë komerciale”, për kompjuterët kunatikë.
Kompjuterët kuantikë përdorin vetitë e fizikës kuantike për të ruajtur të dhënat dhe për të kryer llogaritjet. Njësitë bazë të informacionit në kompjuterët konvencionalë quhen "bit" dhe ruhen si një varg prej 1 dhe 0. Ndërsa, në një sistem kompjuterik kuantik, këto njësi njihen si kubit dhe mund të jenë 1 dhe 0 në të njëjtën kohë.
Sipas studiuesve, në teori, kjo u jep makinerive kuantike fuqi llogaritëse shumë më të madhe se sa kanë makinat konvencionale, duke kryer detyra që kompjuterëve ekzistues do t'u duheshin shumë vite.
Megjithatë, përparimi drejt makinerive kuantike të qëndrueshme komerciale ka qenë i ngadaltë. Dhe, kjo ka ardhur për shkak se afëtsia për të transmetuar informacion në kompjuterët kuantikë është e brishtë dhe mund të ndikohen edhe nga ndërhyrja mjedisore si nxehtësia. Është thënë se kontrolli ose heqja e gabimeve të tilla është një nga sfidat kryesore në shfrytëzimin e fuqisë së llogaritjes kuantike.
Për këtë studim, Dr Neven dhe kolegët e tij kanë krijuar një procesor kuantik superpërcjellës me 72 kubit dhe e kanë testuar atë me dy kode të ndryshme sipërfaqësore: një në 49 kubit fizikë dhe një më të vogël në 17 kubit fizikë.
Ata kanë zbuluar se kodi më i madh i sipërfaqes i bërë nga 49 kubit fizikë, ka performuar më mirë se sa ai më i vogël.
Lidhur me studimin ka shkruar edhe shefi ekzekutiv i Google dhe Alphabet, Sundar Pichai, ai ka thënë se: "Për herë të parë ndonjëherë, studiuesit tanë Quantum AI kanë demonstruar eksperimentalisht se është e mundur të reduktohen gabimet duke rritur numrin e kubitëve".
Ai më tej ka shtuar se ky përparim përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si operohen kompjuterët kunatikë.
Shkencëtarët po ashtu kanë vënë në dukje se nevojitet më shumë punë për të ulur shkallët e gabimit mjaftueshëm për llogaritje efektive, por kanë shtuar se puna e tyre "demonstron një kërkesë themelore për zhvillimet e ardhshme".
Studimi i inxhinerëve të Google, është publikuar në revistën Nature.

