Gjykata Supreme e Britanisë: Transgjinoret s’përfshihen në definicionin ligjor të fjalës “grua”
Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që definicioni ligjor i fjalës “grua” i përjashton transgjinoret, në një rast me pasoja të gjera për atë se si zbatohen ligjet për barazinë.
Gjykata më e lartë britanike vendoi njëzëri se definicioni i një gruaje në legjislacionin rreth barazisë u referohet “një gruaje biologjike dhe seksit biologjik”, raporton televizioni CNN.
Gjykata po vendoste për atë nëse transgjinoret që kanë certifikatë të njohjes së gjinisë (GRC) – e cila ofron njohje ligjore të seksit femëror të një personi – janë të mbrojtura apo jo nga diskriminimi si gra sipas Aktit të Barazisë të vitit 2010.
Një grup i aktivistëve në Skoci e kishte paraqitur rastin më 2018, duke argumentuar se ato të drejta duhet t’i gëzojnë vetëm personat që janë lindur si gra. Megjithatë, qeveria skoceze thotë se një transgjinore që ka certifikatë GRC është ligjërisht grua, prandaj duhet t’i ofrohen mbrojtjet e njëjta ligjore.
Edhe pse rasti rrjedh nga një debat për kuotat në borde sipas ligjit skocez, vendimi i së mërkurës i Gjykatës Supreme do t’i japë formë një retorike gjithnjë më përçarëse e polarizuese rreth të drejtave të transgjinorëve në Mbretërinë e Bashkuar./