Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e anulon rezultatin e zgjedhjeve, goditje për Georgescun
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e ka anuluar rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.
Kjo do të thotë se procesi duhet të bëhet edhe një herë nga fillimi. Qeveria pritet ta vendosë datën për zgjedhjet e reja, raporton televizioni BBC.
Sipas rezultatit të rundit të parë, Calin Georgescu, djathtist ekstrem e skeptik ndaj NATO-s, që më parë e ka vlerësuar lart presidentin rus, Vladimir Putin, i ka fituar shumicën e votave.
Gjykata Kushtetuese tha se e mori këtë vendim “për t’i garantuar korrektësinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor”.
Kryeministri rumun, Marcel Ciolacu, tha se vendimi i gjykatës për anulimin e rezultatit ishte “vendimi i vetëm korrekt”.
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese thanë se kishin pranuar kërkesa për ta anuluar rezultatin, duke cituar dokumente të inteligjencës që u deklasifikuan këtë javë dhe ku jepen hollësi rreth pretendimeve për ndikim rus në rrjete sociale.
Gjykatësit e kësaj gjykate u takuan të premten në mëngjes, edhe pse një natë më parë kishin njoftuar se nuk do t’i diskutonin të dhënat e reja në lidhje me ndikimin e jashtëm të mundshëm në zgjedhje deri në rundin e dytë të votimit.
Sipas ligjit, në rast të anulimit të zgjedhjeve, ato duhet të rimbahen të dielën e dytë pas datës së anulimit, që i bie 22 dhjetori.