Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë e miraton vaksinimin e detyrueshëm të personelit shëndetësor
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, paralajmëroi se pandemia nuk ka përfunduar ende, ndërsa gjykata më e lartë e vendit të tij i miratoi rregullat që kërkojnë vaksinim të detyrueshëm kundër Covid-19 për punëtorët shëndetësorë.
Ministri e theksoi rritjen e madhe të numrit të rasteve në disa shtete aziatike, si Koreja Veriore, por edhe në disa pjesë të Evropë. “Në Gjermani, gjithashtu, një mesatare prej 130 deri në 150 njerëz po vdesin çdo ditë për shkak të pandemisë. Pranda, përshtyrja se pandemia është mposhtur, është e gabuar”, tha ai.
Ai po zhvillon takime dyditore me homolgët e vendeve të Grupit G7, të cilat janë planifikuar për të enjten dhe të premten. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Xavier Becerra, kishte planifikuar që të merrte pjesë fizikisht në këto takime, por doli pozitiv në testin për Covid-19 në Berlin të mërkurën. Zyrtarët thanë se Becerra synon që të marrë pjesë në takime përmes video-lidhjes.
Ministri Lauterbach tha se ministritë e shëndetësisë të vendeve të Grupit G7 do të zhvillojnë një ushtrim për reagimin ndaj një pandemie të re, përfshirë një lloj të ri fiktiv të lisë, e cila gjoja përhapet te njerëzit përmes kafshimit të leopardit dhe që i prek kryesisht të rinjtë.
“Ekziston vërtet një sfond realist për një skenar të tillë”, tha ai, duke iu referuar përhapjes së fundit të rasteve të lisë së majmunit në Britani, Portugali dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai shtoi se në këto takime do të diskutohet edhe për rastet me li të majmunit, bashkë me rrezikun e shtuar për përhapjen e sëmundjeve nga kafshët te njerëzit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë njoftoi të enjten se i ka refuzuar ankesat kundër vaksinimit të detyrueshëm për punëtorët shëndetësorë, duke argumentuar se rëndësia e mbrojtjes së njerëzve të ndjeshëm në spitale dhe në shtëpi të kujdesit tejkalon çfarëdo shkelje të të drejtave të punëtorëve.


Ministri i Shëndetësisë e mirëpriti këtë vendim duke thënë se “shteti është i detyruar që t’i mbrojë grupet e ndjeshme.” Ai i falënderoi qendrat shëndetësore që e kanë zbatuar vendimin për vaksinim të detyrueshëm të punëtorëve, duke thënë se ato kanë ndikuar që të parandalohen më shumë vdekje nga varianti Omicron i koronavirusit.
Kancelari Olaf Scholz fillimisht donte që vaksinimin ta bënte të detyrueshëm për të gjithë gjermanët e rritur, por edhe propozimi që një masë e tillë të zbatohet te personat mbi moshën 60-vjeçare është refuzuar nga ligjvënësit./Nacionale