Gjykata jep urdhër për ndërprerjen e grevës së përgjithshme në Izrael
Gjykata e Punës ka lëshuar urdhër për përfundim të parakohshëm të një greve të përgjithshme masive që e përfshiu Izraelin të hënën.
Kjo gjykatë në Bat Yam tha se greva duhet të përfundojë në orën 14:30 sipas kohës lokale, tri orë e gjysmë më herët se plani i sindikatës së punëtorëve “Histadrut” për ta ndërprerë atë, raporton televizioni CNN.
Sindikata tha se do ta respektojë vendimin.
Më herët, udhëheqësi opozitar izraelit, Yair Lapid, u takua me protestues të grumbulluar në Tel-Aviv. Ai publikoi në rrjetin X një fotografi ku shihej në tubim, duke thënë se ndodhej “me mijëra patriotë izraelitë që dolën në rrugë sot në thirrje për kthimin e pengjeve në shtëpi. Tani”.
Greva gjithëkombëtare dhe disa protesta janë duke u zhvilluar në pjesë të ndryshme të Izraelit. Protestuesit po bëjnë thirrje që Qeveria të arrijë një marrëveshje për kthimin e menjëhershëm të pengjeve që po mbahen në Gaza nga tetori i vitit të kaluar, kur persona të grupeve të ndryshme, me në krye Hamasin, kryen sulme në jug të Izraelit.
Protestat në Tel-Aviv janë të përqendruara përreth Rrugës “Begin”. Në pamje shihen protestues që e kishin bllokuar rrugën dhe duke brohoritur “Ju nuk jeni vetëm! Ne jemi me ju!”.
Njerëzit u panë me flamur izraelit në duar dhe me pankarta ku shkruhej “Vuloseni marrëveshjen” dhe “Marrëveshja do t’i shpëtojë ata nga vdekja”.