Gjykata izraelite s’ia miraton Netanyahut as kërkesën për ta ulur numrin e seancave nga 4 në 3 në javë - NACIONALE

Gjykata izraelite s’ia miraton Netanyahut as kërkesën për ta ulur numrin e seancave nga 4 në 3 në javë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Qarkut e Jerusalemit e ka hedhur poshtë edhe kërkesën e dytë të avokatëve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të mbajtur vetëm tri seanca në javë, e jo katër, duke thënë se ekipi i mbrojtjes nuk ka paraqitur ndonjë argument substancial të ri nga hera e parë kur gjykata vendosi që të shtonte edhe një seancë dëgjimore në javë.

Gjykata gjithashtu theksoi se njëri nga gjykatësit në panelin me tre anëtarë që po merret me rastin do të pensionohet në një të ardhme jo shumë të largët, duke e bërë të nevojshëm ngritjen e ritmit të gjykimit që tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Më tej, gjykata e hodhi poshtë pretendimin e ekipit mbrojtës se nuk mund ta përfaqësonte Netanyahun katër herë në javë për shkak të nevojave të klientëve të tjerë dhe orareve të tyre nëpër gjykata, duke u thënë avokatëve të kryeministrit se kishin dy muaj kohë për t’u përgatitur për numrin e ngritur javor të seancave.

Sidoqoftë, gjykatësit theksuan se do të vazhdojnë që t’i shqyrtojnë kërkesat veç e veç për të shtyrë apo për të anuluar seanca, nëse një gjë e tillë lind nga nevojat e ndryshme të Netanyahut, siç kanë vepruar rregullisht gjatë dhënies së dëshmisë nga kryeministri.

Në fund, gjykata i refuzoi të gjitha kërkesat dhe orari për gjykimin do të mbetet me katër seanca në javë, duke filluar nga java e ardhshme. Netanyahu do të dëshmojë në tri prej tyre: të hënave, të martave dhe të mërkurave.

Lajme të ngjashme