Gjykata i refuzon apelin, Navalny e quan luftën e Putinit “marrëzi” - NACIONALE

Gjykata i refuzon apelin, Navalny e quan luftën e Putinit “marrëzi”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Figura e njohur e opozitës ruse, Alexei Navalny, ka humbur një apel kundër dënimit me nëntë vjet burg, por jo përpara se të nisë një sulm të ashpër ndaj luftës në Ukrainë.

Duke e cilësuar luftën e Vladimir Putin si marrëzi, ai tha se lufta ishte, "si gjykatat, e ndërtuar tërësisht mbi gënjeshtra".

Navalny ishte duke vuajtur një dënim me burg, kur më pas u dënua sërish për një rast mashtrimi, që mbështetësit e tij e shohin si të sajuar.

I njohur prej kohësh si kritiku më i zëshëm i presidentit Putin në Rusi, Navalny u ndalua në momentin që u kthye në shtëpi nga Gjermania pas trajtimit për një sulm thuajse fatal me agjent nervor në Siberi në gusht 2020.

Ai fillimisht u burgos për dy vjet e gjysmë për thyerjen e kushteve të lirimit me kusht ndërsa po trajtohej në spital, por në mars iu dhanë edhe nëntë vjet të tjera burg shtesë për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

Prokurori i tha gjykatës se vendimi i marrë në muajin mars ishte i drejtë dhe i justifikuar, por avokati mbrojtës i Navalny-t argumentoi se vendimi ishte kundër ligjit ndërkombëtar. Në komentet që u ndërprenë në mënyrë të përsëritur, Navalny tha se ai e përbuzte gjykatën dhe tha se vendimet kundër tij nuk ishin të ndryshme nga gënjeshtrat e përdorura nga presidenti Putin dhe media shtetërore për të justifikuar luftën.

"Ju do të pësoni një disfatë historike në këtë luftë budallaqe që keni nisur. Ajo nuk ka asnjë qëllim apo kuptim. Pse po bëjmë luftë?" tha ai.

Rusia deri më tani i ka heshtur kritikat për luftën e saj tre-mujore në Ukrainë, duke ndjekur penalisht dhjetëra njerëz që kanë refuzuar të përdorin termin "operacion special ushtarak", si dhe ka bllokuar mediat e pavarura.

Gjatë seancës së apelit të së martës, Navalny i tha gjykatës se gjyqtarja që i dha atij afatin fillestar të burgimit në shkurt 2021, Natalya Repnikova, u kishte thënë më vonë avokatëve të tij se i vinte keq për vendimin e saj.

Që kur Navalny u burgos vitin e kaluar, ai është mbajtur në një burg në Pokrov, në lindje të Moskës, por tani përballet me transferimin në një koloni penale me një regjim shumë më të rreptë dhe të drejta shumë të kufizuara për vizitat në burg. Kolegët e tij thonë se ai do të transferohet në një strukturë në Melekhovë, ku një ish i burgosur ka bërë akuza për torturë sistematike.

Lajme të ngjashme