GjNP-ja kërkon urdhërarreste për udhëheqësit talibanë, Haibatullah Akhundzada e Abdul Hakim Haqqani
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka kërkuar urdhërarreste për udhëheqësit talibanë nën dyshimin për krime me bazë gjinore, përderisa grupi vazhdon që t’i shtypë të drejtat e grave në Afganistan.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, kryeprokurori i GjNP-së, Karim Khan, tha se “ka bazë të arsyeshme për të besuar se lideri suprem i talibanëve, Haibatullah Akhundzada, dhe shefi i drejtësisë së “Emiratit Islam të Afganistanit”, Abdul Hakim Haqqani, bartin përgjegjësi penale për krimin kundër njerëzimit për përndjekje mbi baza gjinore”, raporton televizioni CNN.
“Zyra ime ka konkluduar se këta dy shtetas afganë janë penalisht përgjegjës për përndjekjen e vajzave dhe grave afgane, si dhe të personave të cilët talibanët i perceptuan si jo në përputhje me pritjet e tyre ideologjike për identitetin ose të shprehurit gjinor, dhe të personave të cilët talibanët i perceptuan si aleatë të vajzave dhe grave” – shtoi Khan.
Kërkesa e prokurorit për lëshimin e urdhërarresteve duhet të miratohet nga një gjykatës. Nëse jepet drita e gjelbër për urdhërarrestet, gjykata me seli në Hagë nuk ka mekanizëm të vetin zbatues dhe është mbështetur në përkrahjen prej shteteve që janë pjesë e saj për kryerjen e arrestimeve.
Që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në Afganistan në gushtin e vitit 2021, gratë dhe vajzat pothuajse janë fshirë nga jeta publike.
Qeveria e talibanëve fillimisht e kishte paraqitur veten si më të moderuar se versioni i grupit që e kishte mbajtur pushtetin në vitet e nëntëdhjeta, duke thënë madje se do ta lejonte vazhdimin e shkollimit për gra e vajza.
Megjithatë, grupi ua ka ndaluar grave ndjekjen e studimeve në universitete, ka mbyllur shkolla të mesme e sallone bukurie dhe ua ka ndaluar punën grave në organizata joqeveritare, përfshirë ato që janë pjesë e OKB-së./Nacionale