GjNP-ja i konfirmon akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj ish-kryerebelit të Ugandës, Joseph Kony - NACIONALE

GjNP-ja i konfirmon akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj ish-kryerebelit të Ugandës, Joseph Kony

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP), të enjten i konfirmoi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-udhëheqësit të rebelëve të Ugandës, aktualisht në arrati, Joseph Kony

Kony, udhëheqës i Ushtrisë së Rezistencës së Zotit, grup rebel, do të ngarkohet me 39 pika të akuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen, përdhunimin, përdorimin e ushtarëve fëmijë, skllavërinë seksuale dhe shtatzënësinë me detyrim, mes viteve 2002 e 2005, thuhet në një vendim të gjykatës që u publikua të enjten.

Një urdhërarrest kundër Kony-t ishte lëshuar në vitin 2005, duke e bërë atë personin e kërkuar me kohën më të gjatë në arrati, sa i përket listës së GjNP-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjykatësit hodhën poshtë një kërkesë të avokatëve të caktuar nga gjykata që po veprojnë në emër të Kony-t dhe vlerësuan se ai mund të akuzohej formalisht me të gjitha 39 pikat e akuzës, të paraqitura nga prokurorët.

Përpos krimeve që dyshohet se janë kryer nga vartësit e tij, gjykatësit thanë se Kony gjithashtu mund të akuzohet me dhjetë pika të tjera për krime për të cilat ai akuzohet se i ka kryer vetë drejtpërdrejt lidhur me dy viktima që ishin bashkëshortet e tij me forcë.

Për këtë, ai ballafaqohet me akuza për skllavërim, martesë me detyrim, shtatzënësi me detyrim, torturë dhe përndjekje mbi bazën e moshës dhe gjinisë.

Prokurorët e mirëpritën vendimin e gjykatësve dhe e cilësuan si hap jetik për ta mbajtur Kony-n përgjegjës për krimet që ia atribuojnë atij./Nacionale

Lajme të ngjashme