GjNP-ja është në rrezik, thotë kryetarja e saj - NACIONALE

GjNP-ja është në rrezik, thotë kryetarja e saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), Tomoko Akane, tha se kërcënimet me të cilat ballafaqohet ky institucion, përfshirë sanksionet e mundshme nga ShBA-ja dhe urdhërarrestet e Rusisë për anëtarët e stafit të gjykatës, “e rrezikojnë vetë ekzistencën e saj”.

Duke folur në konferencën vjetore të 124 shteteve anëtare, Akane nuk i përmendi Rusinë apo Shtetet e Bashkuara, por iu drejtua atyre si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton agjencia “Reuters”.

“Është e qartë nga secila njësi matëse, nga secila pikë referimi, kjo asamble nuk është në një kohë kryesore” – tha kryeprokurori i GjNP-së, Karim Khan, në fjalimin e tij në hapje të konferencës.

“Ne jemi duke u ballafaquar me sfida të pashembullta. Ne shohim se viktima të shoqërisë civile, të mbijetuar, njerëzimi në përgjithësi, mendoj se kanë pritje të pashembullta” – shtoi ai.

Rusia lëshoi urdhërarrest kundër Khanit dy muaj pasi gjykata me seli në Hagë kishte lëshuar urdhërarrest për presidentin rus, Vladimir Putin.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara në qershor miratoi një projektligj për ta sanksionuar GjNP-në si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Khanit për urdhërarrest kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant.

“Gjykata ka qenë subjekt i sulmeve me qëllim të minimit të legjitimitetit dhe aftësisë së saj për të administruar drejtësi dhe për t’i realizuar të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat themelore; i masave shtrënguese, kërcënimeve, presionit dhe akteve të sabotimit” – tha zonja Akane, duke shtuar se më shumë urdhërarreste janë lëshuar kundër punëtorëve të gjykatës.

Përderisa Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare në GjNP, fuqia ushtarake e financiare do të mund ta minonte gjykatën në aspektin diplomatik dhe politik si dhe me sanksione financare kundër stafit të saj./Nacionale

Lajme të ngjashme