Gjermania thotë se procesi drejt njohjes së shtetit palestinez duhet të nisë tash
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka thënë se procesi drejt njohjes së një shteti palestinez “duhet të fillojë tani”.
Megjithatë, ai shtoi se “për Gjermaninë, njohja e një shteti palestinez ka më shumë gjasë që të jetë në fund të procesit”, raporton televizioni BBC.
Kryediplomati gjerman tha se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet “rruga e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme” për konfliktin, duke u mundësuar “njerëzve të të dyja anët e kufirit që të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet”.
Deklarata e ministrit gjerman u publikua para vizitës së tij në Izrael dhe në territoret palestineze.
“Një numër që po rritet shpejt i shteteve, përfshirë ato evropiane, janë të përgatitura për të njohur një shtet palestinez madje pa një proces negociues paraprak” – tha ai.
Kryediplomati tha se Gjermania, “me përgjegjësinë tonë të posaçme për Izraelin, nuk mundet dhe nuk duhet ta shpërfillë këtë”.
Sipas tij, vdekjet dhe vuajtjet në Gaza kanë arritur “proporcione të paparamendushme”. “Konferenca e fundit e OKB-së në Nju-Jork gjithashtu dëshmoi se Izraeli po e gjen veten gjithnjë më shumë në një pozitë pakice” – shtoi ministri gjerman.
Wadephul gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që t’u ofrojë agjencive të ndihmave “qasje të sigurt” për të shpërndarë dërgesa, duke shtuar se Gjermania gjithashtu do të marrë pjesë në hedhjen e ndihmave nga ajri në Gaza ditëve në vijim.
Ai gjithashtu tha se Gjermania “do të vazhdojë të avokojë që Hamasi përfundimisht t’i lirojë pengjet”./Nacionale