Gjermania ia jep menjëherë lejen Polonisë për të dërguar aeroplanë Mig-29 në Ukrainë
Gjermania e ka miratuar brenda një dite kërkesën e Polonisë për të dërguar pesë aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29 në Ukrainë, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se kërkesa arriti të enjten dhe se miratimi i saj në po të njëjtën ditë tregon se të tjerët mund të mbështeten në vendin e tij, raporton agjencia “Reuters”.
Gjermania kishte trashëguar 24 aeroplanë të këtij lloji nga ushtria e Gjermanisë Lindore gjatë ribashkimit më 1990. Në atë kohë, aeroplanët MiG-29 vlerësoheshin në mesin e më të avancuarve në botë.
Më 2004, Berlini ia dha 22 aeroplanë të tillë Polonisë. Nga dy aeroplanët e mbetur, njëri u shkatërrua në një aksident, ndërsa tjetri ndodhet në një muze.
Polonia duhet ta marrë lejen e Gjermanisë për dërgimin e këtyre aeroplanëve në ndonjë shtet tjetër.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Varshavë javën e kaluar se Polonia do të ofrojë ndihmë për formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për ta furnizuar Kievin me aeroplanë luftarakë.
Ukraina shpreson që të fillojë një kundërofensivë ndaj forcave ruse në javët ose muajt e ardhshëm dhe dëshiron që të sigurojë aeroplanë luftarakë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore.
Megjithatë, shtetet perëndimore deri më tani kanë ngurruar që t’i japin Ukrainës aeroplanë të avancuar luftarakë, si ata të tipit F-16, por disa vende kanë ofruar aeroplanë më të vjetër, MiG-29, të cilët Ukraina tashmë i përdor.

