Gjermania i premton Ukrainës edhe një sistem kundërajror “Patriot”
Gjermania i ka premtuar Ukrainës edhe një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore, “Patriot” për t’iu kundërvënë sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase, përderisa dimri po afrohet, njoftoi kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një takimi në Spanjë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Fuqizimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës me sistemin “Patriot” “është ajo që nevojitet tani- sigurimi i mbrojtjeve ajrore me këtë sistem shumë efikas”- tha kancelari Scholz para gazetarëve në qytetin jugor spanjoll, Granada, ku udhëheqësit evropianë u takuan me Zelenskyn të enjten, raporton televizioni CNN.
“Ne e kemi furnizuar Ukrainën me sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” në të kaluarën dhe i kam thënë presidentit ukrainas këtu se do t’i ofrojmë Ukrainës një sistem tjetër për muajt e dimrit”- tha Scholz-i.
“Ne duhet të presim që Rusia do të mundohet ta rrezikojë infrastrukturën dhe qytetet ukrainase përsëri në dimër me sulme raketore, me sulme me dronë, me gjithçka që është e mundshme”- shtoi ai.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vendi i saj do të “bëjë gjithçka” për t’u siguruar që Ukraina të mund ta mbrojë veten nga “terrori i raketave” i Rusisë.
“Më shumë se 50 njerëz të vdekur në Hroza. Aq gjatë sa bombat të bien në dyqane e kafene, ne bëjmë gjithçka për t’u siguruar se Ukraina të mund ta mbrojë veten nga terrori i raketave të Putinit”- shkroi kryediplomatja gjermane në rrjetin X.
Gjermania më parë ia ka dhuruar tri sisteme kundërajrore “Patriot” Ukrainës, ndërsa ky është i katërti që i premtohet.
Të enjten, Zelensky e përsëriti thirrjen e tij për më shumë mbrojtje ajrore, pas sulmit rus në fshatin Hroza, ku u vranë të paktën 52 njerëz.
“Unë jam mirënjohës për përkrahjen e Gjermanisë në mbrojtjen e lirisë dhe popullit tonë. Kjo është edhe mbrojtje e Evropës dhe e vlerave tona të përbashkëta”- shkroi Zelensky në rrjetin X pas takimit me kancelarin gjerman.
