Gjermania e tërheq ambasadorin nga Irani pas ekzekutimit të një gjermano-iraniani
Gjermania e ka tërhequr ambasadorin e saj nga Iran pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, dhe e ka thirrur në takim të ngarkuarin me punë të Iranit për t’ia paraqitur protestën, tha të martën Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë.
“Ne e kemi dërguar protestën tonë më të fortë kundër veprimeve të regjimit iranian dhe e rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë masa të mëtejme” – tha Zyra e Jashtme Federale, raporton agjencia “Reuters”.
Ambasadori i Gjermanisë në Teheran protestoi në termet më të forta të mundshme kundër vrasjes së Sharmahd-it, thuhet në shkrim, ku shtohet se kryediplomatja Annalena Baerbock e ka ftuar ambasadorin për në Berlin për konsultime.
Mediat shtetërore iraniane thanë të hënën se Sharmahd-i u ekzekutua, pasi ishte shpallur fajtor për kryerje të sulmeve terroriste.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha të martën se “asnjë terrorist nuk gëzon pandëshkueshmëri në Iran”. “Edhe nëse përkrahet nga Gjermania” – shtoi ai.
“Shtetasi iranian, Jamshid Sharmahd, haptazi dhe pa turp udhëhoqi një sulm terrorist ndaj një xhamie që la të vrarë 14 njerëz të pafajshëm” – shkroi kryediplomati iranian në rrjetin X.
Sharmahd-i akuzohej nga Irani për udhëheqjen e një grup pro-monarkist të akuzuar për një bombardim vdekjeprurës më 2008 dhe për planifikim të sulmeve të tjera në vend.