Gjermania e paralajmëron Kinën kundër përdorimit të forcës ndaj Tajvanit - NACIONALE

Gjermania e paralajmëron Kinën kundër përdorimit të forcës ndaj Tajvanit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e paralajmëroi Pekinin të enjten kundër përdorimit të forcës për ta ndryshuar status-kuonë me Tajvanin dhe shprehu shqetësim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, pak ditë pas zhvillimit të bisedimeve me kryeministrin e ri kinez.

Scholzi tha para deputetëve gjermanë se Berlini dëshiron marrëdhënie konstruktive me Pekinin, sepse Kina luan rol kyç për zgjidhjen e problemeve globale, si siguria ushqimore, ndryshimet klimatike dhe varfëria, raporton agjencia “Associated Press”.

“Në të njëjtën kohë, ne qartazi i bëmë thirrje Kinës për t’iu përmbajtur rregullave ndërkombëtare”- tha ai për një deklaratë të publikuar rishtazi nga vendet e Grupit G7. “Asnjë shtet nuk është oborr i një shteti tjetër – kjo është e vërtetë për Evropën, po aq sa kudo tjetër në botë”- shto kancelari gjerman.

“Ne i kundërshtojmë fuqishëm të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar status-kuonë në Detin e Kinës Lindore dhe të Kinës Jugore përmes forcës ose shtrëngimit. Kjo është posaçërisht e vërtetë për Tajvanin”- tha më tej Scholzi.

“Ne, gjithashtu, e shohim me shqetësim gjendjen e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kinë. I nënvizova këto porosi pardje gjatë konsultimeve qeveritare Gjermani – Kinë”- shtoi kancelari gjerman.

Komentet e Scholzit para deputetëve ishin dukshëm më të fuqishme se fjalët publike në një deklaratë të përbashkët të martën me kryeministrin kinez, Li Qiang, i cili ishte në udhëtimin e parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës së re në mars. Kancelari nuk e përmendi drejtpërdrejt Tajvanin, përderisa foli pranë Lisë.

Gazetarët nuk u lejuan që të bënin pyetje në atë paraqitje, vendim që zyra e Scholzit ia atribuoi dëshirës së delegacionit kinez.

Lajme të ngjashme