Gjermania e ndalon sektin neonazist që i kishte cak fëmijët, “Artgemeinschaft”
Gjermania e ka ndaluar sektin e së djathtës ekstreme, “Artgemeinschaft”, për shkak të shpërndarjes së ideologjisë naziste te fëmijët dhe të rinjtë.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, e quajti këtë grup “thellësisht racist e anti-semit” dhe tha se ky sekt po mundohej që “të ngrinte armiq të rinj të kushtetutës”, raporton televizioni BBC.
“Artgemeinschaft” ka përdorur letërsi të periudhës naziste dhe organizime kulturore për ta përhapur ideologjinë e vet. Policia ka bastisur dhjetëra shtëpi e zyra të lidhura me këtë grup në 12 shtete gjermane.
“Kjo është një tjetër goditje e fortë kundër ekstremizmit të së djathtës dhe kundër zjarrvënësve intelektualë, që vazhdojnë të përhapin ideologji naziste deri në këtë ditë”- tha ministrja Faeser.
“Artgemeinschaft” mund të përkthehet si “komunitet racor” dhe, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka rreth 150 anëtarë.
Ministria tha se grupi ishte duke u dhënë anëtarëve udhëzime për të zgjedhur partner me prejardhje nga Evropa Qendrore ose Veriore, në vijë me ideologjinë e tij të “ruajtjes së racës”.
Sekti menaxhonte edhe një librari në internet dhe rregullisht ka mbajtur organizime kulturore që kanë tërhequr deri në disa qindra njerëz. Grupi e përshkruante veten si “komuniteti më i madh pagan në Gjermani”.
Autoritetet thonë se grupi e përdorte këtë mbulesë të “besimeve gjermanike pseudo-fetare për ta përhapur pikëpamjen e vet për botën, që e shkel dinjitetin njerëzor”.
Në vendimin për ndalimin e grupit përfshihet edhe uebfaqja e tij, publikimet dhe një shoqatë tjetër e lidhur me të, e quajtur “Familienwerk”.
Javën e kaluar, Gjermania e shpalli të paligjshëm grupin tjetër neo-nazist, “Hammerskins”, që njihet për rolin e tij në organizimin e koncerteve të së djathtës ekstreme dhe shitjen e muzikës raciste.
