Gjermania e kërcënon me masa Izraelin për shkak të Gazës - NACIONALE

Gjermania e kërcënon me masa Izraelin për shkak të Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, kërcënoi me masa të pasaktësuara kundër Izraelit të martën dhe tha se vendi i tij nuk do të eksportojë armë që përdoren për ta shkelur të drejtën humanitare, përderisa ai dhe kancelari Friedrich Merz ia bënë qortimin më të ashpër deri më tani Izraelit për shkak të fushatës ushtarake në Gaza.

Gjermania, bashkë me Shtetet e Bashkuara, për një kohë të gjatë qëndroi në përkrahje të sjelljeve të Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, edhe kur ky shtet po izolohej gjithnjë më shumë në rrafshin ndërkombëtar. Ndryshimi i pozicionit të Berlinit vjen në kohën kur Bashkimi Evropian po i rishikon politikat ndaj Izraelit dhe kur Britania, Franca e Kanadaja kanë kërcënuar gjithashtu me “veprime konkrete” për shkak të situatës në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur në televizionin WDR, kryediplomati gjerman paralajmëroi se përkrahja historike e Gjermanisë për Izraelin nuk duhet të instrumentalizohet, pasi sulmet masive ajrore dhe mungesa e ushqimit dhe e ilaçeve e ka bërë gjendjen në Gaza “të papërballueshme”.

Më herët, kancelari gjerman tha se sulmet ajrore në Gaza nuk janë më të justifikueshme me nevojën për të luftuar kundër Hamasit dhe “nuk janë më të kapshme”, gjatë komenteve në një konferencë për gazetarë në Finlandë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë tha: “Lufta jonë e përkushtuar kundër antisemitizmit dhe përkrahja jonë e plotë për të drejtën për të ekzistuar dhe për sigurinë e shtetit të Izraelit nuk duhet të instrumentalizohet për konfliktin dhe luftën që tani për tani është duke u zhvilluar në Rripin e Gazës.”

“Ne tani jemi në një pikë ku duhet të mendojmë me shumë kujdes për hapat e mëtejmë për t’u marrë” – shtoi ai, pa dhënë hollësi të mëtejme.

“Aty ku shohim rreziqe për dëme, ne natyrisht se do të ndërhyjmë dhe sigurisht se nuk do të ofrojmë armë në mënyrë që të ketë më shumë dëme” – tha ministri gjerman, duke shtuar se asnjë porosi e re për armë tani për tani nuk është duke u shqyrtuar.

Ndryshimi në qëndrimin qeveritar erdhi pas thirrjeve të partnerëve të koalicionit, socialdemokratëve, për t’i ndalur eksportet e armëve drejt Izraelit, ose në të kundërtën do të rrezikohej ajo që mbështetësit e kësaj mase thonë se do të ishte bashkëfajësia e Gjermanisë në krime lufte.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese tjetër për koment në lidhje me atë nëse hapi i ardhshëm i këtij shteti mund ta përfshirë ndërprerjen e dërgesave të armëve.

Kancelari gjerman pritet të bisedojë këtë javë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu./Nacionale

Lajme të ngjashme