Gjermania duhet të kërkojë partnerë të rinj tregtarë, thotë kancelari Merz
Gjermania duhet të shikojë përtej një marrëveshjeje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, me të cilën mallrat e BE-së ngarkohen me taksë prej 15 për qind, duke gjetur partnerë të rinj tregtarë viteve në vijim, tha të dielën kancelari gjerman, Friedrich Merz.
“Si do ta trajtojmë tregtinë botërore, nëse, për shembull, amerikanët nuk janë më të përgatitur që të luajnë sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë” – tha Merzi në Ditën e Hapur, organizim qeveritar ku njerëzit mund t’i vizitojnë institucionet dhe të marrin pjesë në diskutime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duhet të kërkojmë partnerë në botë që i ndajnë me ne mendimet tona” – tha politikani që gjithashtu e drejton partinë konservatore CDU, mbështetja për të cilën është 25 për qind – baras me përkrahjen për partinë e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) – sipas një sondazhi të INSA-s të publikuar këtë fundjavë në gazetën “Bild”.
Korniza e marrëveshjes e 28 korrikut ishte arritur mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Neve na nevojiten marrëdhënie të mira tregtare me ShBA-në dhe mund të kemi shpëtuar lehtë” – tha Merzi, duke theksuar se mundësi për tregti mund të hapen në Amerikën e Jugut, Azi e Afrikë dhe ato duhet të jenë me përfitime të dyanshme.
“Ne duhet ta ndjekim atë rrugë në mënyrë të vazhdueshme” – shtoi kancelari gjerman.
Më tej, ai tha se çështjet themelore në lidhje me sistemet e sigurisë sociale duhet të adresohen deri në fund të vitit, duke argumentuar se Qeveria duhet ta frenojë shpenzimin në pagesat e mirëqenies që lidhen me punësimin, pensionet dhe beneficionet shëndetësore.
“Duhet t’i bëjmë të përshtatshme sistemet tona të sigurisë sociale në të ardhmen” – tha ai./Nacionale