Gjermania do t’i mbyllë të gjitha konsullatat iraniane pas ekzekutimit të gjermano-iranianit
Gjermania do t’i mbyllë të gjitha tri konsullatat iraniane në territorin e saj, por do ta lejojë ambasadën e këtij shteti aziatik që të qëndrojë e hapur. Vendimi u mor pasi autoritetet iraniane ekzekutuan një burrë gjermano-iranian.
“Marrëdhëniet tona diplomatike tashmë janë më shumë se në një pikë të ulët” – tha në Nju-Jork ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, raporton agjencia “Reuters”.
Gjermania tashmë e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Irani për vrasjen e Jamshid Sharmahd-it dhe e ka thirrur në takim të ngarkuarin me punë të Iranit në Berlin për t’ia paraqitur protestën.
Kryediplomatja gjermane e doni Iranin për lojën politike me pengje dhe e akuzoi Teheranin se po mundohet që ta shfrytëzojë përkrahjen e Gjermanisë për Izraelin në konfliktin e Lindjes së mesme për ta justifikuar vrasjen e Sharmahd-it.
“Gjermanë të tjerë gjithashtu janë duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë. Ne gjithashtu jemi thellësisht të përkushtuar për ta dhe vazhdojmë që të punojmë pa u lodhur për lirimin e tyre” – shtoi ministrja Baerbock.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i fusë Rojat Revolucionare të Iranit në listën e grupeve terroriste.