Gjermania dhe Franca heqin dorë nga projekti i përbashkët për aeroplanin luftarak - NACIONALE

Gjermania dhe Franca heqin dorë nga projekti i përbashkët për aeroplanin luftarak

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë janë pajtuar që të zhbëjnë një projekt kyç për zhvillimin dhe ndërtimin e një aeroplani luftarak të gjeneratës së re, thanë të hënën dy zyrtarë gjermanë, duke i dhënë fund njërit prej programeve më ambicioze të mbrojtjes në Evropë.

Kancelari Friedrich Merz dhe presidenti Emmanuel Macron diskutuan për projektin në margjinat e samitit BE – Ballkan Perëndimor në Mal të Zi javën e kaluar dhe arritën në përfundimin se nuk ka perspektivë për zhbllokimin e ngërçit disamujor, thanë zyrtarët.

Dështimi për të arritur një marrëveshje rreth projektit prej 100 miliardë eurosh i nënvizon vështirësitë me të cilat është ballafaquar Evropa në rindërtimin e kapaciteteve të veta ushtarake pas disa dekadave me investime të ulëta, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Projekti, i cili ishte i përqendruar në një aeroplan luftarak i mbështetur nga dronët dhe i lidhur nga një “re luftarake” e klasifikuar, kishte qenë në dyshim për disa muaj, përderisa dy palët grindeshin për specifikat dhe kontrollin.

Presidenti francez e kishte nisur këtë projekt në vitin 2017 me ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel. Zyra e tij nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Macroni dhe Merzi për disa muaj ishin përpjekur që ta shpëtonin projektin dhe t’i tejkalonin dallimet mes partnerëve kryesorë të industrisë, “Airbus”, që përfaqëson Gjermanin dhe Spanjën, dhe kompanisë franceze, “Dassault Aviation”.

Përpos mosmarrëveshjeve për kontrollin dhe specifikat teknike, dy palët kishin edhe kërkesa shumë të ndryshme sa i përket aeroplanit.

Merzi në mënyrë të hapur kishte vënë në pikëpyetje nëse zhvillimi i një aeroplani luftarak të gjeneratës së gjashtë ende kishte kuptim për forcat ajrore gjermane dhe kishte thënë se Gjermania nuk kishte nevojë për një aeroplan që mund të bartë kokë bërthamore dhe që mund të aterrojë në aeroplanmbajtëse./Nacionale

Lajme të ngjashme