Gjermania arreston 25 persona, dyshohen për organizim të një puçi - NACIONALE

Gjermania arreston 25 persona, dyshohen për organizim të një puçi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëzet e pesë persona janë arrestuar gjatë bastisjeve në pjesë të ndryshme të Gjermanisë nën dyshimin për planifikimin e rrëzimit të qeverisë.

Sipas raportimeve në Gjermani, grupi i përbërë nga disa figura të së djathtës ekstreme dhe ish-pjesëtarë të ushtrisë kishte planifikuar që të futej në ndërtesën e kuvendit dhe ta merrte pushtetin.

Një burrë gjerman, të cilit i referoheshin me emrin e një princi të quajtur Heinrich XIII, 71 vjeç, dyshohet të ketë qenë figura qendrore për këtë plan, raporton televizioni BBC.

Sipas prokurorëve federalë, ai është njëri nga dy udhëheqësit e dyshuar në mesin e personave të arrestuar në 11 shtete gjermane, përcjell Nacionale.

Thuhet se në mesin e të dyshuarve ka anëtarë të lëvizjes “Reichsbürger”, e cila për një kohë të gjatë ka qenë nën llupën e policisë gjermane për sulme të dhunshme e teori raciste të konspiracionit. Ky grup refuzon që ta njohë shtetin modern gjerman.

Besohet se rreth 50 burra e gra kanë qenë pjesë e grupit që thuhet të ketë planifikuar për ta rrëzuar republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri sipas modelit të Gjermanisë së vitit 1871 – perandori e quajtur Rajhu i Dytë.

“Ende nuk kemi një emër për këtë grup”- tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal.

Bastisjet ndodhën në pjesë të ndryshme të vendit dhe dy persona madje u arrestuan në Itali e Austri, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA. Personat e ndaluar pritet të merren në pytje më vonë gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, tha se një operacion i madh anti-terrorist është duke u zhvilluar dhe se një “sulm i armatosur i dyshimtë ndaj organeve kushtetuese ishte planifikuar”.

Prokurori federal tha se grupi ishte duke planifikuar një puç të dhunshëm që nga nëntori i vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme