Gjatë vizitës së Lavrovit, Turqia pajtohet me kërkesën që do t’ia rriste të hyrat Rusisë
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të premten se ai pajtohet me kërkesën e Rusisë për largimin e pengesave për eksportimin e drithërave dhe plehrave ruse dhe se kjo gjë duhet të adresohet për ta zgjatur marrëveshjen me Ukrainën për eksportimin e drithërave.
Në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun rus, Sergei Lavrov, Cavusoglu tha se Turqia është e përkushtuar për t’ia zgjatur afatin marrëveshjes së përkrahur nga OKB-ja, me të cilën garantohet transportimi i sigurt i drithërave nga portet ukrainase nëpër Detin e Zi, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne i vëmë rëndësi vazhdimit të marrëveshjes... jo vetëm për eksportimin e drithërave e plehrave të Rusisë e Ukrainës, por edhe për ndaljen e krizës botërore të ushqimit”- tha kryediplomati turk.
“Ne pajtohemi, gjithashtu, se pengesat ndaj eksportimit të drithërave dhe plehrave ruse duhet të largohen. Çështjet duhet të adresohen që marrëveshja e drithërave të zgjatët më tej”- shtoi ai.
Ministri rus tha se dy diplomatët diskutuan për marrëveshjen e drithërave, për një qendër të mundshme gazi në Turqi, konfliktin në Siri dhe për Ukrainën.
Turqia e ka pozicionuar veten si ndërmjetëse mes Kievit dhe Moskës në konfliktin 13-mujor, duke e ndërmjetësuar me OKB-në marrëveshjen e vetme domethënëse diplomatike deri më tani.
Marrëveshja e drithërave u nënshkrua në korrikun e vitit të kaluar. Muajin e kaluar, Rusia tha se do ta zgjasë afatin e marrëveshjes për vetëm 60 ditë, edhe pse OKB-ja, Ukraina e Turqia kërkuan që zgjatja e afatit të ishte për 120 ditë.
